Kryeministri Edi Rama nga Nju Jorku ka dhënë një intervistë për televizionin francez TV5monde. Në bisedën e shkurtër me gazetaren franceze, kreu i qeverisë u është përgjigjur një sërë pyetjesh në lidhje me të ardhmen evropiane të vendit, eksodin e popullsisë dhe pritjes së refugjatëve nga Afganistani.

I pyetur nëse Shqipëria po përpiqet që të fitojë favore nga Uashingtoni duke strehuar të paktën 4,000 refugjatë afganë, Edi Rama tha se kërkesa për strehimin e tyre nuk erdhi nga qeveria amerikane por nga organizata humanitare në SHBA.

Siç është shprehur dhe herë të tjera, kryeministri theksoi se Shqipëria është një vend që historikisht e ka treguar që hap dyert për ata që kanë nevojë.

Pyetje: Edi Rama, Shqipëria është zotuar të presë përkohësisht 4 mijë refugjatë afganë, derisa ata të marrin një vizë për të shkuar në SHBA. Ju kemi parë që keni shkuar t’i takoni. Vendi juaj është vendosur në pararojë për pritjen e tyre, me kërkesë të SHBA. Po përpiqeni të përfitoni favore nga Uashingtoni?

Edi Rama: Jo. Nuk është kaq e thjeshtë. Së pari, ne s’ua hapëm derën me kërkesë të SHBA, të qeverisë së SHBA.

E hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut në SHBA, dhe thamë “PO”. Sepse për ne, kjo është çështje respekti ndaj  historisë, ne jemi një vend mikpritës, një vend që, me krenari ka qenë vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve, jemi një vend që ka pritur gjysmë milion refugjatë lufte që u ikën masakrave të regjimit të Sllobodan Milosheviçit në 1999 dhe jemi një vend ku është shumë e rëndësishme që të mos harrohet, se ka një kohë për të kërkuar, ka një kohë për të dhënë.

Ne kemi qenë afganët para 30 vjetëve, dhe po të mos kishte qenë mikpritja e italianëve dhe e të tjerëve nuk do të kishim mundur të dilnim nga ferri ynë, që nuk ishte një ferr i talibanëve islamistë, por ishte një ferr i talibanëve të kuq. Për të gjitha këto, për ne kjo është thjesht e natyrshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re