Avokati Baftjar Rusi, i ftuar në emisionin ‘Aktualitet’ u shpreh se kur ndodhin reforma të mëdha transformuese si rasti i reformës në drejtësi ka iniciativa dhe korrigjime të dispozitave që janë në favor të mirëfunksionimit të sistemit, gjithashtu disa vepra penale nuk duhet të jenë pjesë e juridiksionit të SPAK-ut.

Sipas avokatit Rusi, strukturat e policisë gjyqësore cedojnë në formimin teorik dhe praktik pasi duhet të jenë më shumë investigues në ngjarjet që ndodhin, duhet të parandalojnë krimet, si dhe duhet të dijnë të ruajnë provat e vendngjarjes.

“Gjithmonë kur ndodhin reforma dhe procese të mëdha transformuese në një drejtim të caktuar që është rasti i sistemit në drejtësi ka edhe iniciativa, ka dhe korrigjime ose adoptime të dispozitave që shikojnë që janë në mirëfunksionim të sistemit.

Ka vepra penale që realisht nuk duhet të jenë pjesë e juridiksionit të Gjykatës së Posaçme, apo edhe të Prokurorisë së Posaçme pra që përfshijnë termi SPAK-u.

Ne kemi një minus shumë të madh, policia gjyqësore tek ne e ka marrë emrin jo nga policia pra nga oficerët e policisë gjyqësore që janë pranë strukurave të Prokurorisë së rretheve gjyqësore, por policia gjyqësore ka një koncept shumë më të gjerë.

Ne kemi struktura të specializuara brenda Drejtorisë Policive të qarkut apo edhe ne Ministrinë e Rendit, përbëjnë atë që janë thelbi, boshti i policisë gjyqësore dhe ç’ka është sot shumë e rëndësishme është që elementët e policisë gjyqësore, strukturat kriminale që duhet të jenë shumë të specializuara, cedojnë shumë në formimin, qoftë në formimin teorik, qoftë edhe në atë praktik sesi për shembull duhet të investigoj një ngjarje, sesi duhet të parandaloj një krim, si duhet të ruaj një vendngjarje, si duhet të marrin provat, si duhet të kçyrin një vendngjarje”, tha avokati Rusi.

(S.D/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re