Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, pas bashkimit për aksionin në Parlament me grupin e Bardhit, po punon që ky bashkim të përfshijë edhe strukturat e partisë.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar që do të zhvillohet pasditen e së martës, do të sjellë ndryshime të rëndësishme, që nga kupola e lartë drejtuese e partisë deri në strukturat më të ulëta. Partisë Demokratike që aktualisht ka dy nënkryetarë, do i shtohen edhe dy të tjerë. Gazment Bardhi pritet të jetë një nga nënkryetarët e rinj dhe njëkohësisht do të mbajë dhe detyrën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD. Një tjetër emër që i shtohet listës së nënkryetarëve është Agron Gjekmarkaj, për shkak se mban detyrën e nënkryetarit të Kuvendit.

Detyrë kjo që Gjekmarkaj e ka mbajtur, edhe pse ka qenë thjesht një deputet, edhe pse statuti i PD e thotë qartë që detyrën e nënkryetarit të Kuvendit e merr një nga nënkryetarët. Një tjetër ndryshim që pritet të ndodhë pasditen e së martës është dhe në kryesinë e partisë. Listës së anëtarëve të kësaj kryesie do i shtohen edhe disa nga deputetë, që janë pjesë e grupit ‘Bardhi’. Listës prej 37 anëtarësh në kryesi, pritet t’i bashkohen dhe 6 figura të tjera, nënkryetari i grupit Ervin Salianji, kryetaret e komisioneve parlamentare të opozitës Jorida Tabaku e Zheni Gjergji, por edhe nënkryetarët e komisioneve, si Dhurata Çupi, Tomorr Alizoti apo Ferdinand Xhaferraj.

Deri më tani, ende është i paqartë pozicionimi i Tabakut, nëse do të pranojë ose jo të jetë pjesë e kryesisë së PD-së së drejtuar nga Berisha. Futja e këtyre figurave në kryesi nuk do të bëhet me votim të Këshillit Kombëtar, siç përcakton statuti aktual i PD-së së drejtuar nga Berisha, por përmes ndryshimeve statutore. Këshilli Kombëtar nuk do të votojë drejtpërdrejtë për emrat, por ndryshimet e statutit që çojnë automatikisht në kryesi grupin “Bardhi”.

Në kuadër të ndryshimeve statutore, nenet që preken janë ai 51, që përcaktohen se PD ka 2 nënkryetarë, një prej të cilëve është edhe kryetar i grupit parlamentar. Neni tjetër që ndryshon është edhe ai 47, për përbërjen e kryesisë, ku në pikën 1 të saj, do të futen si anëtarë kryesie edhe kryetarët e nënkryetarët e komisioneve. Këto dy pika do të çojnë grupin “Bardhi” pa pasur nevojë për votim të fshehtë të Këshillit Kombëtar drejtpërdrejtë e në kryesinë e partisë. Pas riorganizimit të strukturave të partisë, deputetët do të nisin takimet me qytetarët dhe përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2025.

FORMULA

Bashkimi i grupit të Bardhit me atë të Berishës, tashmë do të bëhet edhe ‘de juro’. Sipas burimeve, kryesia e vogël e PD-së së Rithemelimit, ku bëjnë pjesë sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, nënkryetarët Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi si dhe kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka janë mbledhur për të diskutuar formulën se si do të ndodhë kjo shkrirje. Ky takim ka pasur edhe bekimin e Sali Berishës.

Formula e bashkimit do të bëhet nëpërmjet propozimeve për ndryshime statutore. Të njëjtat burime bëjnë me dije ditën e martë, 1 orë përpara mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së së Rithemelimit, do të mblidhet kryesia e Partisë, ku do t’i propozohen ndryshimet statutore, që më pas do i kalojnë për miratim Këshillit Kombëtar. Sipas informacioneve të siguruara, pritet që të propozohet se ai/ajo, që mban postin e kryetarit të grupit parlamentar, do të jetë automatikisht edhe nën/kryetar i partisë.

Çka do të thotë se kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, pritet të jetë nënkryetar i Rithemelimit. Mësohet se një tjetër propozim do të jetë se, edhe ai i cili është nënkryetar i Kuvendit, do të ketë postin e nënkryetarit të partisë. E thënë ndryshe, nënkryetari i katërt i PD-së së Rithemelimit do të jetë Agron Gjekmarkaj. Bashkimi i grupit të Bardhit dhe Berishës do të prodhojë ndryshime edhe në kryesinë e partisë, ku në këtë forum do të bëjnë pjesë edhe deputetë të grupit të Gazment Bardhit. Edhe sa i takon këtij ndryshimi, formula do të gjendet në propozimet për ndryshime statutore, ku me propozimin që do të bëhet, në kryesi automatikisht do të bëjnë pjesë kryetarë, nënkryetarë të komisioneve parlamentare, nënkryetari i grupit parlamentar etj.. Po ashtu një emër i cili ende nuk është bërë pjesë e mbledhjeve të grupit parlamentar të PD-së është Jorida Tabaku.

Kjo e fundit me ndryshimet statutore që priten të miratohen nga Këshilli Kombëtar, ka të drejtë të jetë anëtare e kryesisë. Por, kjo sipas burimeve do të ndodhë në momentin kur Tabaku do të njohë PD-në e Rithemelimit. Një tjetër emër i cili do të jetë në kryesi është edhe Ervin Salianji, i cili është nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së. Një tjetër pikë e rendit të ditës të martën do të jetë edhe krijimi i grupeve të punës, që do të merren me zgjedhjet e kryetarëve të 19 degëve të PD-së, të cilat janë pa drejtues.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re