E ndërsa në Universitetin e Tiranës prej ditësh studentët kanë bojkotuar mësimin si dhe janë ngujuar në fakultete, në rrethe ata kanë qenë të ndarë në grupe ku një pjesë ka kërkuar vazhdimin e mësimit, ndërsa pjesa tjetër bojkotimin dhe ngujimin deri në plotësimin e kërkesave.
Në Elbasan, një grup studentësh protestues, pas orës 10: 00 u nisën nga Universiteti ‘Aleksandër Xhuvani’drejt Fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore, duke kërkuar solidaritetin e kolegëve. Me protestuesit u bashkuan një numër i vogël studentësh, ndërkohë që në mbrëmje pritet që studentët t’i rikthehen ngujimit. Në auditore, nga ana tjetër është vënë re një shtim i studentëve që ndjekin seminaret e leksionet.
Ndërsa në Durrës, studentët e kampusit universitar pasi e kanë kaluar natën e shkuar në ambientet fakultetit, në ditën e dytë janë shprehur të bindur për të vijuar me bojkotin mësimor.
Në ditën e dytë të protestës pati edhe studentë qe iu drejtuan auditorëve, por pjesa më e madhe këmbëngul në plotësimin e 8 kërkesave nga ana e kryeministrit Rama.