Studentët e mjekësisë së përgjithshme shprehen se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin për trajtimin e veçantë të tyre vërtetoi se protesta e të rinjve ishte e drejtë.

“Me vendimin që dje Gjykata Kushtetuese mori në lidhje me ligjin e studentëve të mjekësisë tregoi edhe njëherë që në fakt studentët e mjekësisë kishin të drejtë dhe pranoi një sërë kërkesash, duke treguar edhe antikushtetueshmërinë e këtij ligji”, thotë Dea Guri, studente e Mjekësisë së Përgjithshme.

Studentët shprehen se janë të gatshëm të ulen në një tryezë me të gjitha palët, për të arritur një vendimmarrje të arsyeshme dhe efektive.

“Gjykata Kushtetuese i kërkoi qeverisë atë që në fakt ne i kemi kërkuar prej kohësh, që nga qershori i vitit të kaluar, me protestat tona. Hajde na dëgjoni, ulemi bisedojmë dhe kjo nuk u bë, ndërsa ligji u miratua shpejt e shpejt. Në këtë moment e drejta është të dëgjohen të gjitha palët e interesit”, shprehet ajo.

Një ditë më parë Gjykata kushtetuese pranoi pjesërisht ankimimin e të rinjve, duke lënë në fuqi detyrimin për të punuar në Shqipëri pas studimeve por duke rrëzuar afatin prej 5 vitesh. Brenda tre muajsh, parlamenti do të duhet të rishqyrtojë ligjin duke marrë në konsideratë udhëzimet e Kushtetueses. /

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re