Ish-kryeministri Sali Berisha tha se protesta e studentëve të mjekësisë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për kontratën 5 vjeçare në këmbim të diplomës është një akt absurd.

Berisha tha se kushti i qeverisë është jashtë çdo lloj standardi dhe se duhet të tërhiqet menjëherë, ku theksoi se me këtë të fundit po i tregohet kamxhiku studentëve që duan të diplomohen në këtë degë.

“Sot para parlamentit kanë ardhur në një protestë të ligjshme kundër një akti absurd studentët e mjekësisë, ju me procedurë të përshpejtuar jashtë çdo lloj standardi keni sjellë këtu për të kaluar, gjysmë fshehtas një ligj që ndëshkon çdo student, çdo të ri që ëndërron të diplomohet mjek në këtë vend. Me këtë ligj në fakt ju shkatërroni edhe bastionin e fundit jetik për shqiptarët, fakultetin e Mjekësisë. Ky ligj i marrë hua nga kuba aktuale, bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik në periferi, por ka në themel, vjedhje dhe vetëm vjedhje të shumave kolosale që ju bëni. KLSH faktoi se vetëm në një vit keni vjedhur 138 miliardë lekë, vetëm në një vit ku mund të rriteshin rrogat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa ju në vend që të përdorni stimul e mjekut për të shërbyer në zona ku ka mundësi të shpërblehet ju i tregoni kamxhikun sot dhe i kërkoni të firmosë se do shërbejë 5 vite në periferi dhe pastaj mund të largohet. Akt i pashembullt, ju u tallët me këtë sistem”, tha Berisha .

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re