Skip to content

Studentët e Oxfordit hoqën portretin e Mbretëreshës Elizabeth II

Një grup studentësh nga Universiteti i Oxfordit në Britani të Madhe hoqën nga një sallë e përbashkët portretin e Mbretëreshës Elizabeth II të vitit 1952 me arsyetimin se rikujton të kaluarën koloniale të vendit.

Një grup studentësh nga Kolegji Magdalen, një prej kolegjeve që përbëjnë Universitetin e Oxfordit, votuan për heqjen e portretit të Mbretëreshës Elizabeth II nga salla e përbashkët.

Pas votimit, nga salla u hoq portreti i cili shihej si një “simbol zyrtar kolonial”.

Dinah Rose, e cila vitin e kaluar u emërua në krye të Kolegjit Magdalen tha se ky veprim i studentëve nuk përfaqëson qëndrimin e përgjithshëm të kolegjit por se ata mbështesin të drejtat e studentëve për “fjalën e lirë dhe debatin politik”.

“Të jesh student është më shumë se të mësosh. Ka të bëjë me zbulimin dhe diskutimin e ideve. Ndonjëherë është e lidhur me provokimin e brezit të vjetër. Sipas asaj që vërehet nuk është dhe aq e vështirë për ta bërë këtë në ditët e sotme”, tha Rose.

Ajo tha se portreti “do të ruhet në mënyrë të sigurt”.

Janë bërë komente se Mbretëresha është viktima e fundit e kulturës së bojkotimit

Ministri britanik i Arsimit, Gavin Williamson e ka cilësuar “plotësisht absurde” veprimin e studentëve për të hequr portretin e Mbretëreshës.

Përderisa nga pallati Buckingham nuk është bërë ndonjë deklaratë lidhur me çështjen, në lajmet e reflektuara në shtypin e vendit janë bërë komentime se Mbretëresha Elizabeth II është “viktima e fundit e kulturës së bojkotimit”.