Studentët protestues kanë vendosur që të mos bllokojnë më rrugët e Tiranës, siç kanë vepruar disa herë përgjatë dy javëve që janë derdhur rrugëve me një paketë kërkesazh ndaj qeverisë, përmbledhur në 8 pika.

Ata qëndruan dhe këtë të mërkurë para selisë së kryeministrisë, jo në masë të madhe, por po aq këmbëngulshëm në plotësimin me një “Po” të 8 kërkesave, sigurisht në mënyrën e tyre, pa u shoqëruar me dialog, siç shefi i qeverisë e kërkon.

Por, prej sot e tutje, ata kanë vendosur që të mos bëjnë më barrikadat për kalimin e automjteve.

“Bllokimi i rrugëve është diçka që na dëmton neve dhe qytetarët, pasi ne i kemi mbështetje qytetarët, por që ishte një zgjidhje e përkohshme deri në momentin që kryeministri të kuptojë që ne do të vazhdojmë protestën”, tha një student, gjatë një prononcimi për TCH.

Ky ndryshim kursi vjen edhe pas shfaqjes së një acarimi nga radhët e qytetarëve, ardhur nga kolapsi i transportit.

Ndërkohë, studentët kanë vendosur që protestë të ketë të enjten dhe të premten, e më pas të rikthehen sërish në janar pas pushimeve të fundivitit.  

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re