“Rikthimi në auditore për periudhën Maj-Korrik 2020 i studentëve në prag diplomimi, vijimi i mësimeve online me zhvillimin paralel të praktikave profesionale dhe punës në laboratore duke respektuar të gjitha masat dhe protokollet e vendosura për ruajtjen e distancës, higjienës dhe masave mbrojtëse të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, janë disa prej vendimeve që drejtuesit e Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend do t’i drejtojnë Ministrisë së Arsimit, me një propozim për një plan hapjeje të Universiteteve në vend.

Gjatë një videokonference ata diskutuan çështjet kryesore dhe problematikat që lidhen me procesin mësimor, i cili si rezultat i gjendjes së krijuar është zhvendosur nga auditoret në klasat virtuale.

Diskutimi përfshiu masat paraprake që duhen marrë mbi mundësinë e rifillimit të mësimit në auditore duke respektuar të gjitha protokollet e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zbatimin e praktikave profesionale dhe zhvillimin e provimeve të sezonit të verës.

Rektorati i Universitetit të Gjirokastrës mori sot vendimin për nisjen e përgatitjeve me qëllim rikthimin e studentëve në auditore dhe vënien në zbatim të konkluzioneve të videokonferencës.

Disa prej konkluzioneve më të rëndësishme që synojnë zbatimin e një mënyre të re funksionimi për normalizimin e procesit mësimor në këtë situatë të jashtëzakonshme:

Rikthimi në auditore për periudhën Maj – Korrik 2020 i studentëve të vitit të tretë “Bachelor” dhe vitit të dytë “Master”/“Master Profesional”, të cilët janë në prag diplomimi.

Viti i parë dhe i dytë “Bachelor” dhe viti i parë për ciklin e dytë “Master” dhe “Master Profesional”, do të vazhdojë rregullisht procesin e mësimit online.

Lëndë specifike si laboratorë ose praktika profesionale të zhvillohen edhe në ambientet e universitetit, mbi bazën e një grafiku për të shmangur grumbullimet masive në auditore.

Për praktikat profesionale në fushën e mësuesisë dhe të infermierisë të veprohet me grupe të vogla studentësh – praktikantë në spitalet rajonale (për studentët e infermierisë) dhe për studentët praktikantë në fushën e mësuesisë (duhet të jenë pjesë dhe gjithashtu të ndjekin mësimin në klasat virtuale të arsimit parauniversitar).

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re