Qindra studentë kanë shkuar tek Ministria e Shëndetësisë ku i kanë dorëzuar ministres Ogerta Manastirliu kërkesat e tyre për rinisjen e mësimit.

Disa prej tyre thonë me ironi, se përderisa baret janë hapur, atëherë pse duhet të mbyllet universiteti.

“Nuk kemi frikë të takojmë ministren. Ne jemi të mirëargumentuar, nuk mendojmë se baret dhe lokalet duhet të qëndrojnë hapur, ndërsa auditorët të mbyllen.

Në të gjithë Evropën, janë mbyllur kafet por shkollat kanë qëndruar hapur. Kjo nuk mund të vazhdojë”-tha njëri nga studentët.

“Miq dhe mikesha uluni në kafe dhe ndiqni mësimin online, veç e veç.”-është një tjetër slogan ironizues që është stampuar në një pankartë që mbahet në dorë nga studentët.

Pasi dorëzuan kërkesat e tyre tek ministria e Shëndetësisë, studentët po marshojnë tek Ministria e Arsimit ku do të bashkohen me studentët e tjerë dhe grupin që ishte tek kryeministria.

Studentët e UT dhe fakulteteve të tjera kanë dalë sot në protestë.

Ata kërkojnë përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.

Ndërkohë që sot, starton dhe viti i ri akademik, 2020-2021, ku për herë të parë, do të ndjekin fakultetin 21 mijë studentë të rinj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re