Kishte kohë që Shkupi nuk kishte parë një protest të tillë: studentë shqiptarë të Fakultetit Juridik në Maqedoninë e Veriut, dolën në rrugë këtë të hënë duke kërkuar zbatimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës amtare në provimet e diplomimit. Për rreth dy orë, qindra sosh marshuan në bulevardet kryesore të qytetit, duke artikuluar kërkesën për barazi në një të drejtë që, sipas tyre, ekziston në legjislacion, por nuk zbatohet në praktikë.

Të organizuar pranë Ministrisë së Drejtësisë, ata ngritën një podium nga ku shprehën pakënaqësinë ndaj institucioneve dhe kërkuan përgjegjësi politike, përfshirë dorëheqjen e drejtuesve kryesorë të qeverisë dhe institucioneve përkatëse.

Protesta u karakterizua nga pjesëmarrje e gjerë dhe simbolikë kombëtare, me pankarta dhe flamuj kuq e zi, duke reflektuar rëndësinë që ka gjuha shqipe për identitetin dhe të ardhmen profesionale të tyre.

Kërkesa kryesore lidhet me një problem konkret: studentët që ndjekin studimet në gjuhën shqipe detyrohen të japin provimet përfundimtare në gjuhën maqedonase, një praktikë që ata e konsiderojnë diskriminuese dhe pengesë për zhvillimin e barabartë në karrierë.

Kjo protestë u mbështet gjerësisht nga faktori shqiptar në rajon, ai politik e akademik. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re