Rasti i parë i njohur i COVID-19 ishte një shitës në tregun Huanan në qytetin kinez Wuhan, jo një kontabilist që dukej se nuk kishte asnjë lidhje me atë treg, por rasti i të cilit kontribuoi në spekulimet se virusi mund të kishte rrjedhur nga laboratori, sipas një studimi të ri amerikan.

Origjina e virusit SARS-CoV-2 që shkakton COVID-19 mbetet e paqartë dhe është një nga burimet kryesore të tensionit midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Një studim i përbashkët nga Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këtë vit pothuajse hodhi poshtë teorinë se COVID-19 e kishte origjinën në një laborator, duke argumentuar se hipoteza më e mundshme ishte se njerëzit u infektuan natyrshëm, me sa duket përmes tregwtimit të kafshëve të egra, raporton Reuters.

Një grup ekspertësh të udhëhequr nga OBSH kaluan katër javë në dhe rreth Wuhan-it me shkencëtarët kinezë dhe në një raport të përbashkët në mars arriti në përfundimin se virusi SARS-CoV-2 ndoshta ishte transmetuar nga lakuriqët te njerëzit nëpërmjet një kafshe tjetër, por se nevojiten kërkime të mëtejshme.

Kontabilisti, i cili përgjithësisht konsiderohej si personi i parë me COVID-19, raportoi se simptomat e tij të para u shfaqën më 16 dhjetor, disa ditë më vonë nga sa mendohej fillimisht, tha Michael Worobey, kreu i ekologjisë dhe biologjisë evolucionare në Universitetin e Arizona-s, në një studim të botuar në revistën Science të enjten.

“Simptomat e tij u shfaqën pas disa rasteve te punëtorët në tregun Huanan, kjo është arsyeja pse shitësi i ushqimeve të detit atje ishte rasti më i hershëm i njohur, me fillimin e sëmundjes më 11 dhjetor”, thuhet në studim.

Studimi tha se shumica e rasteve të hershme simptomatike kishin të bënin me tregun, më saktë me pjesën perëndimore ku ndodheshin kafazet e rakunave dhe jepte prova të forta se origjina e pandemisë ishte në tregun e kafshëve të gjalla.

OBSH muajin e kaluar propozoi një panel të ri ekspertësh për të hetuar origjinën e koronavirusit. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re