Një faturë e papritur, humbja e vendit të punës apo një emergjencë shëndetësore mund të mjaftojë për të tronditur financat e shumicës së familjeve shqiptare.
Të dhënat e një studimi të kryer nga Elona Dushku nga Departamenti i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë tregojnë se rreth 59% e familjeve në vend klasifikohen si financiarisht të brishta, duke mos pasur kursime për të përballuar ‘surpriza’ të papritura ekonomike.
“Gjetjet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e individëve, ndonëse mund të mbulojnë shpenzimet e përditshme, nuk zotërojnë rezerva likuide të mjaftueshme për të administruar luhatjet e papritura negative”, thuhet në studim.
Më tej theksohet se ‘brishtësia financiare’ nuk lidhet vetëm me nivelin e të ardhurave, por arsimi është një faktor kryesor me ndikim, pasi niveli i ulët arsimor shton rrezikun për mos-përballimin e goditjeve të papritura.
Ndihmë për familjet shqiptare evidentohen remitancat, pasi në studim është dalë në konkluzionin se familjet që përfitojnë dërgesa nga emigrantët shfaqin një probabilitet më të ulët brishtësie, duke konfirmuar funksionin e tyre si një mekanizëm mbrojtës ndaj goditjeve ekonomike.
“Këto rezultate sugjerojnë se politikat duhet të fokusohen në forcimin e edukimit financiar, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe orientimin e remitancave drejt kanaleve formale, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike të familjeve”, vijon studimi.
Nga ana tjetër 31% e familjeve konsiderohen financiarisht të qëndrueshme, ndërsa rreth 10% përballen me mungesë të parave për nevojat e përditshme.
