Mjeku Ilir Alimehmeti ka dhënë një lajm të mirë lidhur me një mënyrë efikase për trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Me anë të një postimi në Facebook, mjeku shkruan se një studim i publikuar në prestigjiozen JAMA, ka dalë në përfundimin se antitrupat monoklonalë funksionojnë mirë në mbrojtjen e të infektuarve.

Sipas studimit, në të cilin morën pjesë 481 pacientë, falë trajtimit me antitrupa monoklonalë, pacientët e trajtuar me antitrupa monoklonalë patën ecuri shumë më të mirë se sa pacientët e patrajtuar. “Të trajtuarit” shënuan ulje me 39.5% e riskut për vizitë mjekësore akute; ulje me 59.4% e riskut për t’u shtruar në spital; efektivitet 100% kundër shtrimit në terapi intensive dhe efektivitet 100% kundër humbjes së jetës.

Po çfarë është trajtimi me antitrupa monoklonalë?

Antitrupat janë proteina që prodhon sistemi imunitar për të luftuar viruset, si SARS COV-2 që shkakton COVID-19. Antitrupat monoklonale prodhohen në një laborator, por funksionojnë në të njëjtën mënyrë si ato që gjenden në trup natyrshëm.

Postimi i plotë

“Bëj sa më shumë të mundesh PËR pacientin dhe vepro sa më pak të mundesh MBI pacientin.”
Cit.: Dr. Bernard Lown (çmim Nobel për Paqen – 1985)
A funksionon terapia me antitrupa monoklonalë?
Po! Funksionon, dhe funksionon shumë mirë miqtë e mi!
Pavarësisht përdorimit të emergjencës të dhënë nga FDA-ja që më 21 Nëntor 2020, ka tentativa të vazhdueshme për të ndaluar apo frenuar globalisht përdorimin e terapisë jetëshpëtuese me antitrupa monoklonalë!
Studime pas studimesh e vërtetojnë efektin e tyre jetëshpëtues!
Studimi i publikuar në prestigjiozen JAMA më 21 Shtator 2021, është pranuar për publikimin që më 19 Korrik 2021.

Dy muaj të humbur kot miqtë e mi! PSE?
Studiuesit e Whiteriver Indian Hospital, Arizona (SHBA) morrën në studim: 481 pacientë që përmbushnin kriteret për risk të lartë të specifikuar në EUA (emergency use authorization), nga të cilët 201 pacientë (41.8%) morrën trajtimin me antitrupa monoklonalë, 280 pacientë (58.2%) nuk e morrën trajtimin me antitrupa monoklonalë.

Pacientët që e morrën trajtimin me antitrupa monoklonalë:

Ishin më të vjetër në moshë:
50 vjeç mosha mediane e pacientëve të trajtuar;
43 vjeç mosha mediane e pacientëve të patrajtuar.

Kishin më shumë sëmundje bashkëshoqëruese:
56.7% e pacientëve të trajtuar kishin ≥2 sëmundje;
44.6% e pacientëve të patrajtuar kishin ≥2 sëmundje.

Pra, duke qenë më të vjetër në moshë dhe me më shumë sëmundje, pritet që pacientët e trajtuar me antitrupa monoklonalë të ishin më të pafavorizuar në ecurinë e COVID-19.

Por çfarë ndodhi? Pacientët e trajtuar me antitrupa monoklonalë patën ecuri shumë më të mirë se sa pacientët e patrajtuar.

Patën nevojë për vizita mjekësore akute: 29.4% e pacientëve të trajtuar me antitrupa monoklonalë, kundrejt 48.6% të pacientëve të patrajtuar, pra ulje me 39.5% e riskut për vizitë mjekësore akute.

U shtruan në spital: 17.4% e pacientëve të trajtuar me antitrupa monoklonalë, kundrejt 42.9% të pacientëve të patrajtuar, pra ulje me 59.4% e riskut për t’u shtruar në spital.

U shtruan në terapi intensive: 0 pacientë të trajtuar me antitrupa monoklonalë, kundrejt 12 pacientëve (4.3%) të patrajtuar, pra efektivitet 100% kundër shtrimit në terapi intensive.

Humbën jetën: 0 pacientë të trajtuar me antitrupa monoklonalë, kundrejt 8 pacientëve (2.9%) të patrajtuar, pra efektivitet 100% kundër humbjes së jetës.
8 vdekjet ndodhën të gjitha në pacientë që i plotësonin kriteret për trajtimin me antitrupa monoklonalë, por të cilëve nuk iu ofrua ky trajtim!
Pra, miqtë e mi, antitrupat monoklonalë funksionojnë dhe funksionojnë shumë mirë!
Duhet t’i importojmë në Shqipëri sa më shpejt!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re