Një studim social i pazakontë, ka zbuluar se ateistët janë më lehtë të dyshuar për veprime të ulëta sesa të krishterët, muslimanët, hindusët apo budistët thanë hulumtuesit.
Kjo sugjeron se në një botë gjithnjë e më laike, shumë njerëz, duke përfshirë edhe disa ateistë, ende mbajnë pikëpamjen se njerëzit do të bëjnë gjëra të këqija nëse nuk frikësohen nga ndëshkimi i Zotit, i cili sheh gjithçka.
Rezultatet e studimit “tregojnë se në gjithë botën, besimi fetar konsiderohet në mënyrë intuitive si një mbrojtje e domosdoshme kundër tundimeve për sjellje thellësisht të pamoralshme”, shkroi një ekip ndërkombëtar në revistën Nature Human Behavior.
Studimi gjithashtu zbuloi se “ateistët perceptohen në shkallë të gjërë si njerëz potencialisht të shthurur dhe të rrezikshëm në aspektin moral”.
Studimi ka matur qëndrimet e më shumë se 3,000 njerëzve në 13 vende, në pesë kontinente.
Këta njerëz vijnë nga vende shumë shekulare si Kina dhe Hollanda, deri te vendet me numër të madh besimtarësh si Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara dhe India.

Vendet e studimit përbëhen nga popullata ose kryesisht budiste, e krishtere, hinduse, muslimane ose jofetare.
Pjesëmarrësve iu është dhënë një përshkrim i një keqbërësi imagjinar, i cili si fëmijë torturon kafshët, pastaj rritet për t’u bërë mësues, i cili vret ​​dhe masakron pesë persona të pastrehë.
Gjysma e grupit u pyetën se sa ka të ngjarë që autori i veprës të ishte një besimtar dhe fetar, dhe gjysma tjetër se sa ka gjasa që ai të ishte ateist.
Ekipi gjeti se gjasat ishin dy herë më të mëdha që njerëzit të mendonin se vrasësi serial ishte një ateist.
“Është e habitshme se edhe ateistët duket se mbajnë të njëjtin paragjykim intuitiv anti-ateist”, tha për AFP bashkëpunëtorja e studimit Will Gervais, një profesor i psikologjisë në Universitetin e Kentakit në Lexington.

Unë dyshoj se kjo rrjedh nga mbizotërimi i normave pro-fetare thellësisht të rrënjosura. Edhe në vendet që aktualisht janë mjaft shekulare, njerëzit ende duket se besojnë në mënyrë intuitive se feja është një mbrojtje morale”, theksoi ajo.
Vetëm në Finlandë dhe në Zelandën e Re, dy vende laike, eksperimenti nuk dha dëshmi përfundimtare të paragjykimeve anti-ateiste, tha ekipi.
Mosbesimi i ateistëve ishte “shumë i fortë në shtetet më fetare si Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India: tha Gervais, dhe më pak në vendet më shekulare.

“Në shumë vende, ateizmi mund të jetë i rrezikshëm, nëse jo fatal”, shtoi ai.
Në një koment të cituar nga revista, Adam Cohen dhe Jordan Moon nga Departamenti i Psikologjisë së universitetit shtetëror të Arizonës, thanë se studimi ishte “një përparim i rëndësishëm në shpjegimin e mbizotërimit të qëndrimeve anti-ateiste”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re