Një individ i diagnostikuar me diabet të tipit 2 në moshën 30-vjeçare mund të shohë që jetëgjatësia e tij të ulet deri në 14 vjet, ka paralajmëruar një ekip ndërkombëtar studiuesish.

Edhe njerëzit që nuk e zhvillojnë këtë gjendje deri në moshën 50-vjeçare – mund të shohin që jetëgjatësia e tyre të bjerë deri në gjashtë vite, zbuloi një analizë e të dhënave nga 19 vende me të ardhura të larta.

Studiuesit thonë se gjetjet, të publikuara në The Lancet Diabetes & Endocrinology, theksojnë nevojën urgjente për të zhvilluar dhe zbatuar ndërhyrje që parandalojnë ose vonojnë shfaqjen e diabetit, veçanërisht pasi shfaqja e diabetit tek të rinjt po rritet globalisht.

Rritja e obezitetit, dieta e varfër dhe rritja e sjelljes sedentare po nxisin një rritje të shpejtë të numrit të rasteve të diabetit të tipit 2 në mbarë botën. Në vitin 2021, 537 milionë të rritur u vlerësuan se kishin diabet, me një numër në rritje të diagnostikuar në moshat më të reja.

Diabeti i tipit 2 rrit rrezikun e një individi për një sërë komplikimesh duke përfshirë atakun në zemër dhe goditjen në tru, problemet e veshkave dhe kancerin. Vlerësimet e mëparshme kanë sugjeruar se të rriturit me diabet të tipit 2 humbin jetën mesatarisht gjashtë vite më herët se të rriturit pa diabet. Megjithatë, ka pasiguri se si ky reduktim mesatar i jetëgjatësisë ndryshon sipas moshës në diagnozë.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, një ekip i udhëhequr nga shkencëtarët në Universitetin e Kembrixhit dhe Universitetin e Glasgow ekzaminoi të dhënat nga dy studime të mëdha ndërkombëtare – Emerging Risk Factors Colaboration dhe UK Biobank – që përfshinin gjithsej 1.5 milionë individë.

Sa më herët që një individ të diagnostikohet me diabet të tipit 2, aq më i madh është reduktimi i jetëgjatësisë së tij. Në përgjithësi, çdo dekadë e diagnozës së hershme të diabetit shoqërohet  me rreth katër vite jetëgjatësi të reduktuar.

Duke përdorur të dhëna nga popullsia e SHBA-së, u vlerësua se, individët me diabet të tipit 2 të diagnostikuar në moshat 30, 40 dhe 50 vjeç humbën jetën mesatarisht rreth 14, 10 dhe 6 vite më herët, sesa individët pa këtë sëmundje. Këto vlerësime ishin pak më të larta te gratë (përkatësisht 16, 11 dhe 7 vite) sesa te burrat (përkatësisht 14, 9 dhe 5 vite).

Gjetjet ishin të ngjashme në analizat duke përdorur të dhënat e BE-së, me vlerësimet përkatëse që ishin mesatarisht rreth 13, 9 ose 5 vite.

Diabeti i tipit 2 mund të parandalohet nëse ata që janë në rrezik më të madh mund të identifikohen dhe t’u ofrohet mbështetje – qoftë kjo për të bërë ndryshime në sjelljen e tyre ose duke marr mjekime për të ulur rrezikun e sëmundjes. Por ka edhe ndryshime strukturore që ne si shoqëri duhet të ndjekim, duke përfshirë konsumimin e ushqimit, ndryshimet në mjedisin e ndërtuar për të inkurajuar më shumë aktivitet fizik, etj.

Studiuesit zbuluan se pjesa më e madhe e reduktimit të jetëgjatësisë së lidhur me diabetin ishte për shkak të ‘vdekjeve vaskulare’ – vdekje të lidhura me kushte të tilla si sulmi në zemër, goditje në tru dhe aneurizma. Komplikime të tjera si kanceri gjithashtu kontribuan në uljen e jetëgjatësisë.

Profesor Naveed Sattar nga Instituti i Shkencave Kardiovaskulare dhe Mjekësore, Universiteti i Glasgow, shtoi: “Gjetjet tona mbështesin idenë se sa më i ri të jetë një individ kur zhvillon diabetin e tipit 2, aq më shumë dëme grumbullohen në trupin i tij nga metabolizmi i dëmtuar. Por gjetjet sugjerojnë gjithashtu se zbulimi i hershëm i diabetit me anë të shqyrtimit të ndjekur nga menaxhimi intensiv i glukozës mund të ndihmojë në parandalimin e komplikimeve afatgjata.

Përshtati në shqip: Griselda Ozuni

Burimi: University of Cambridge

https://www.cam.ac.uk/research/news/type-2-diabetes-diagnosis-at-age-30-can-reduce-life-expectancy-by-up-to-14-years

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re