Fëmijët që shpenzojnë më shumë kohë përpara ekranit të celularit apo televizorit, janë më të prirur të shfaqin probleme në sjellje si agresioni, vështirësi me vëmendjen dhe ankth e në raste të caktuara depresion.
Kështu ka konkluduar një studim i publikuar nga “JAMA Psychiatry”, i cili ka marrë në shqyrtim 87 studime me afro 160 mijë fëmijë të moshave të vogla (12 vjeç e më të vegjël).
Sipas të dhënave, qëndrimi për një kohë të gjatë i fëmijëve me celularë është i asociuar me afro 20% risk më të lartë në sjelljet problematike. Dy janë elementët e sjelljes problematike në të tilla raste, agresioni i shtuar dhe mungesa e vëmendjes
“Kur fëmijë poshtë moshës 12 vjeçe, rrinë për shumë orë në ditë përpara celularit apo ekraneve të tjera (tv, laptop, ipad, etj), veprimet e tyre asociohen me problematika të sjelljes, agresionin e mërzitjen”-shpjegoi bashkë-autorja e studimit Sheri Madigan.
Një sërë studimesh janë kryer veçanërisht gjatë kohës së pandemisë, të cilët kanë konkluduar se qëndrimi i fëmijëve për kohë të gjata në celular, ka sjellë dukshëm në një rritje të problematikave të sjelljes dhe uljen e ndjeshme të aktivitetit fizik.
“Kur fëmijët rrinë për kohë të gjata përballë ekranit, kjo lë pak kohë që ata të angazhohen me aktivitete që ne e dimë mirë që janë të rëndësishme për rritjen e tyre, përfshi këtu aktivitetin fizik, gjumin, leximin e të tjera aspekte të shëndetshme”-tha studiuesja.
Mund të thuhet se përgjatë pandemisë, koha që fëmijët qëndrojnë përpara celularëve apo ekraneve thuajse është dyfishuar.