Sipas një studimi, mbrojtja natyrore kundër një gripi të zakonshëm mund të ofrojë njëfarë mbrojtjeje edhe kundër Covid-19. Ky studim në shkallë të vogël, i botuar në Nature Communications, përfshiu 52 individë që jetonin me dikë që sapo ishte infektuar me Covid-19. Ata që kishin krijuar një “bankë memorieje” të qelizave specifike imunitare pas një gripi – për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve të ardhshme – dukeshin më pak të prirur për t’u prekur nga Covid. Ekspertët thonë se askush nuk duhet të mbështetet vetëm te kjo mbrojtje, pasi roli i vaksinave mbetet kryesor.

Por, ata besojnë se gjetjet e tyre mund të ofrojnë informacione të dobishme lidhur me mënyrën se si sistemi mbrojtës i trupit lufton virusin.

Covid-19 shkaktohet nga një lloj koronavirusi, ndërsa disa lloje të gripit shkaktohen nga koronaviruse të tjerë – kështu që shkencëtarët kanë qenë të interesuar të zbulojnë nëse imuniteti ndaj njërit prej këtyre koronaviruseve mund të mbrojë edhe ndaj të tjerave.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se do të ishte një “gabim i rëndë” të mendohej se kushdo që ka kaluar gripin kohët e fundit, është automatikisht i mbrojtur nga Covid-19, pasi jo të gjitha llojet e gripit shkaktohen nga koronaviruset.

Ekipi i Kolegjit Imperial në Londër donte të kuptonte më mirë pse disa njerëz infektohen me Covid pasi janë ekspozuar ndaj virusit, ndërsa disa të tjerë nuk infektohen.

“Metoda e re e vaksinave”

Ata e fokusuan studimin e tyre në një pjesë thelbësore të sistemit imunitar të trupit qelizat T. Disa nga këto qeliza T vrasin çdo qelizë të infektuar nga një kërcënim specifik për shembull, një virus i gripit. Pasi gripi ka kaluar, disa qeliza T mbeten në trup në formën e një “banke memorieje”, gati për të ofruar mbrojtje kur të përballen përsëri me virusin në të ardhmen.

Në shtator 2020, studiuesit morën në shqyrtim 52 persona që nuk ishin vaksinuar ende, por që jetonin me njerëz që sapo kishin rezultuar pozitivë me Covid-19. Gjysma e grupit u infektua me Covid gjatë periudhës 28-ditore të studimit, ndërsa gjysma tjetër jo.

U zbulua se një e treta e njerëzve që nuk u infektuan me Covid kishin nivele të larta të disa qelizave specifike T të kujtesës në gjakun e tyre. Këto qeliza ka të ngjarë të ishin krijuar kur trupi ishte infektuar me një tjetër koronavirus të ngjashëm me shumë mundësi, një grip i zakonshëm, thanë ata. Studiuesit pranojnë se ka edhe variabla të tjerë – të tilla si ventilimi dhe sa infektues ishte kontakti i tyre në familje – që do të ndikonin në faktin nëse njerëzit do të infektoheshin me virusin.

Dr. Simon Clarke, në Universitetin e Reading, tha se megjithëse ky ishte një studim relativisht i vogël, ai vlen për të kuptuar se si sistemi ynë imunitar lufton virusin dhe mund të ndihmojë për vaksinat e ardhshme.

Ai shtoi: “Këto të dhëna nuk duhet të keqinterpretohen. Duket e pamundur që të gjithë ata që kanë vdekur ose që kanë kaluar një infektim më serioz me Covid, nuk janë sëmurë kurrë më parë me grip të shkaktuar nga një koronavirus.”

“Për më tepër, mund të jetë një gabim i rëndë të mendosh se kushdo që ka kaluar një grip kohët e fundit është i mbrojtur nga Covid-19, pasi koronaviruset përbëjnë vetëm 10-15% të të gjitha llojeve të gripit.”

Profesor Ajit Lalvani, autor i lartë i këtij studimi, pranoi se vaksinat ishin çelësi i mbrojtjes. Ai shtoi: “Nëse mësojmë nga ato gjëra që trupi i bën siç duhet, mund të krijojmë vaksina të reja.” Vaksinat aktuale targetojnë specifikisht proteinat spike që qëndrojnë në pjesën e jashtme të virusit, por këto proteina spike mund të ndryshojnë në variantet e reja.

Nga ana tjetër, qelizat T të trupit targetojnë proteinat e brendshme të virusit, të cilat nuk ndryshojnë aq shumë nga njëri variant te tjetri. Kjo do të thotë se vaksinat që shfrytëzojnë më tepër rolin e qelizave T, mund të ofrojnë mbrojtje më të madhe dhe më afatgjatë kundër Covid, tha ai./ BBC

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re