Edhe një pjesë shumë e madhe pacientësh me një formë të lehtë të COVID-19 zhvillojnë antitrupa, të cilët më pas mund t’i imunizojnë për disa javë kundër sëmundjes, sipas një studimi të Institutit “Pasteur” dhe “CHU”, në Strasburg.

“Dihej që njerëzit me forma të rënda të sëmundjes krijonin antitrupa brenda 15 ditëve nga fillimi i shenjave. Tani ne e dimë se kjo është gjithashtu e vërtetë për ata që zhvillojnë forma të lehta, edhe nëse nivelet e antitrupat janë ndoshta më të dobët”, tha në një njoftim për shtyp një nga autorët e studimit, Arnaud Fontanet, kreu i departamentit Global të Shëndetit, në Institutin Pasteur.

Studimi u krye në 160 anëtarë të personelit të spitaleve universitare të Strasburgut, gjithashtu të prekur nga forma të lehta të COVID-19.

“Prodhimi i antitrupave dhe aktiviteti i tyre neutralizues rriten me kalimin e kohës, deri në 41 ditë pas fillimit të simptomave”, shpjegon Olivier Schwartz.

“Objektivi tani është të studiojmë më vonë, me kalimin e kohës, se si do të evoluojë kjo përgjigje, a do të ruhen antitrupat, a do ta kenë këtë aktivitet neutralizues dhe për sa kohë”, shtoi ai.

Për këtë arsye, pjesëmarrësit në studim mund të testohen përsëri në muajt e ardhshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re