Studimi global zbulon se ajri i ndotur është i dyti pas kequshqyerjes si shkaku i vdekjes tek moshat nën pesë vjeç.

Gati 2.000 fëmijë nën pesë vjeç vdesin çdo ditë nga ndotja e ajrit, duke u bërë faktori i dytë më i madh i rrezikut shëndetësor për fëmijët e vegjël në mbarë botën.

Më shumë se 8 milionë vdekje, të fëmijëve dhe të rriturve, u shkaktuan nga ndotja e ajrit në vitin 2021, sipas një studimi të ri nga Instituti i Efekteve Shëndetësore (HEI).

Ajri i ndotur është tani vrasësi i dytë më i madh në nivel global, duke tejkaluar përdorimin e duhanit dhe i dyti vetëm pas presionit të lartë të gjakut, si një faktor rreziku për vdekje në popullatën e përgjithshme. Tek fëmijët nën pesë vjeç, ndotja e ajrit është e dyta pas kequshqyerjes si një faktor rreziku në vdekshmëri.

Raporti i sivjetshëm i gjendjes globale të ajrit tregon gjithashtu se fëmijët në vendet e varfra po vuajnë disa nga ndikimet më të këqija, me shkallën e vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit tek fëmijët nën pesë vjeç, 100 herë më i lartë në pjesën më të madhe të Afrikës sesa në vendet me të ardhura të larta.

Grimcat e vogla të quajtura PM2.5 që do të thotë se janë më të vogla se 2.5 mikrometra në diametër janë fajtorë për më shumë se 90% të vdekjeve globale nga ndotja e ajrit. Grimcat PM2.5 mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe janë zbuluar se prekin organet në të gjithë trupin. Ato lidhen jo vetëm me sëmundjet e mushkërive, por edhe me sëmundjet e zemrës, goditjen në tru, diabetin dhe abortin.

Kitty van der Heijden, zëvendësdrejtoresha ekzekutive e Unicef-it, tha: “Mosveprimi ynë  ka efekte të thella në gjeneratën e ardhshme , me ndikime në shëndetin dhe mirëqenien gjatë gjithë jetës. Urgjenca globale është e pamohueshme. Është e domosdoshme që qeveritë dhe bizneset t’i marrin në konsideratë këto vlerësime dhe të dhëna të disponueshme në nivel lokal dhe t’i përdorin ato për të ndërmarrë veprime, të përqendruara te fëmijët për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve.”

Temperaturat më të larta në verë mund të përkeqësojnë gjithashtu ndikimet e ndotësve të ajrit si oksidet e azotit , të cilat në temperatura të larta mund të kthehen më lehtë në ozon, një gaz irritues kur thithet. Ekspozimi afatgjatë ndaj ozonit kontribuoi në gati gjysmë milioni vdekje në 2021 , thuhet në raport.

Trajtimi i ndotjes së ajrit mund të ketë gjithashtu ndikime të dobishme në klimë. Rreth gjysmë milioni nga vdekjet e fëmijëve në vitin 2021 ishin të lidhura me ajrin e ndotur në ambiente të mbyllura, kryesisht rezultat i gatimit me lëndë djegëse të pista, duke përfshirë biomasë, qymyr, parafinë. Kalimi në lëndë djegëse më të pastra, mund të zvogëlojë ndjeshëm emetimet e PM2.5, si dhe emetimet e dioksidit të karbonit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re