Një studim shkencor kinez jep një lajm të mirë sa i përket COVID-19. Të gjithë personat e infektuar, pas 19 ditësh, krijojnë antitrupa, e nuk sëmuren. Kjo gjë nuk ishte vërtetuar dhe është një pikënisje e mirë për testet sierologjike që aktualisht po qarkullojnë edhe në vendin tonë.
Rezultatet e studimit kinez u botuan në revistën prestigjioze “Nature Medicine”. Sipas hulumtuesve kinezë, të gjithë pacientët e shëruar nga COVID-19 zhvillojnë antikorpe, në sasi të ndryshme.
Më në detaj, 100% të të prekurve nga virusi pandemik zhvillojnë antikorpe të tipit IgG, që prodhohen pas prodhimit të atyre Igm, që janë antikorpet që aktivizohen normalisht nga organizmi kur reagon ndaj një infeksioni të ri.
Antikorpet IgG mbrojnë për një periudhë më të gjatë personin. “Në qoftë se bazohemi tek precedentët e SARS dhe Mers, këto antikorpe duhet të mbrojnë nga rikthimi i koronavirusit, për të paktën një periudhë 12-24 muajshe. Një lajm i madh”, nënvizoi Guido Silvestri, që drejton laboratorin Emory, një nga më të avancuarit në botë për sa i përket Imunologjisë.
Rezultatet duhet të verifikohen në studime të mëtejshme, por ky mund të jetë një sinjal i mirë edhe për testet sierologjike, që mund të përcaktojnë imunitetin e një personi ndaj virusit që ka bllokuar botën.
