Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar paligjshmëri në vendimin e Albcontroll, për të kërkuar asistencë ligjore të një studio belge, në përballjen  që kjo Shoqëri Aksionere ka ndërmarrë në Arbitrazh, pas ngrirjes së të ardhurave, si pjesë e detyrimit që shteti shqiptar i ka biznesmenit Francesko Becheti.

Në auditin e publikuar nga KLSH në fillim të këtij viti thuhet se perballja në Gjykatë do të duhet të bëhet në bashkëpunim me avokaturën e shtetit.

Nga auditimi konstatohet se Këshilli Mbikëqyrës i Albcontrol SHA ka marrë vendimin nr. 2, datë 25.02.2021 “Për një ndryshim në programin e zhvillimit ekonomik të shoqërisë “Albcontrol”

sha të vitit 2021. Nga relacioni bashkëlidhur këtij vendimi argumentohet se shtohet nënzëri “Asistencë ligjore për çështjen e ngrirjes së llogarive bankare në “Eurocontrol” në vlerën 12,500,000 lekë, vlerë  e cila programohet të mbulohet nga zbritja e zërit “amortizim”, në kuadër të lëshimit të një urdhër ekzekutimi nga shërbimi përmbarimor Belg me objekt “Bllokimin/ngrirjen e llogarive të Shqipërisë në Eurocontrol.

Pasi pala shqiptare si palë e paditur ka humbur çështjen, pala paditëse i është drejtuar gjykatës për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit, kërkesë e cila është pranuar nga gjykata dhe si rrjedhojë është lëshuar një urdhër ekzekutimi nga shërbimi përmbarimor Belg për bllokimin e llogarive të Albcontrol.

Për kundërshtimin e vendimit të Gjykatës Belge është angazhuar Eurocontrol, Avokatura e shtetit dhe një studio ligjore Belge e kontraktuar nga Albcontrol për asistencë ligjore.

Konstatohet se vendimi nr.2 datë 25.02.2021 i Këshillit Mbikëqyrës për kontraktimin e studios ligjore belge është jo në përputhje me pikën 1, nenin 9 ku thuhet se “Zyra e përfaqësimit në gjykatat e huaja, ndërkombëtare dhe në arbitrazhin ndërkombëtar” të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit” sipas të cilit; Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të shtetit shqiptar pranë gjykatave të huaja dhe organizmave ndërkombëtarë, me karakter gjyqësor apo mbikëqyrës, kryhen nga Avokatura e Shtetit, nëpërmjet zyrës së përfaqësimit në gjykatat e huaja, ndërkombëtare dhe në arbitrazhin ndërkombëtar.

KLSH rekomandon se “Këshilli Mbikëqyrës i shoqërisë Albcontrol SHA, në lidhje me mbrojtjen për kundërshtimin e vendimit të gjykatës belge dhe angazhimin në këtë proces të një studio ligjore nga ana e Albcontrol SHA, të sigurohet koordinimi i mbrojtjes me Avokaturën e Shtetit duke garantuar eficencën maksimale në strategjinë e mbrojtjes, si dhe në interesin më të mirë të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të saj”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re