Kryebashkiaku aktual i Bashkisë së Fierit Armando Subashi shprehet i bindur në fitoren e një mandati të tretë.

 

Në një intervistë për Vizion Plus me Panvera Borakajn, Subashi tha se nuk ndihet i rrezikuar nga dy rivalët e opozitës, të cilët i cilësoi si “kopje”.

 

“Nuk shpresoj te kjo gjë. Ata nuk kanë asnjë shans në Fier. Nuk kanë pasur origjinalët në Fier jo më kopjet e tyre. Fieri është bastion i së majtës. Vota bazohet te puna jonë.

 

Jam i bindur që do marrim një mandat të tretë dhe do hapim një faqe të re në investime”, tha Subashi.

 

Kryebashkiaku tha se në mandatin e radhës, do vijojnë investimet për zhvillimin e turizmit, duke shtuar se ky mandat që kishte ishte më i pakët në investime, për shkak të tërmetit, pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

 

“Ne premtojmë vazhdimin e punëve me një ritëm tjetër. Kemi pasur kohë të vështira, me tërmetin, pandeminë edhe tani lufta dhe investimet kanë qenë të ulta. Kemi një sërë investime me Gjanicën, shpresojmë të fillojmë edhe rrugën e Semanit, për të hapur një rrugë drejt turizmit bregdetar”, tha Subashi për Vizion Plus.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re