Dymbëdhjetë ministra të kabinetit qeveritar të Sudanit kanë paraqitur dorëheqjen te kryeministri Abdalla Hamdok në shenjë proteste ndaj marrëveshjes politike me këshillin ushtarak në pushtet të vendit.

Dje, Hamdok u rikthye në detyrë pasi nënshkroi një marrëveshje politike me kreun e këshillit ushtarak në pushtet të Sudanit, gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan, me qëllim për t’i dhënë fund krizës disa javore që kërcënoi tranzicionin politik të vendit.

Marrëveshja u përshëndet kryesisht nga komuniteti ndërkombëtar, por forcat politike sudaneze e kanë hedhur poshtë atë, duke e quajtur një “përpjekje për të legjitimuar grusht shtetin”.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga ministrat, ndër ministrat e dorëhequr janë ai i punëve të jashtme, drejtësisë, bujqësisë, investimeve dhe energjisë.

Dorëheqjen e kanë dhënë edhe ministri i arsimit, punës, transportit, shëndetësisë, rinisë dhe ai i çështjeve fetare.

Njoftimi po ashtu tha se pesë ministrat nga radhët e koalicionit Forcat e Lirisë dhe Ndryshimit (FFC), të cilët kishin ndarë pushtetin me ushtrinë para marrjes së pushtetit nga ushtria, nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme të kabinetit,

Ministrat nuk shpjeguan arsyen e dorëheqjes së tyre.

Kujtojmë se ministrat e dorëhequr ishin pjesë e qeverisë kalimtare të udhëhequr nga Hamdok, e cila u shpërbë më 25 tetor nga gjenerali al-Burhan.

Në atë kohë, al-Burhan shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shkarkoi qeverinë kalimtare, mes protestave rivale dhe akuzave midis ushtrisë dhe politikanëve.

Dhjetëra persona janë vrarë që nga marrja e pushtetit nga ushtria më 25 tetor mes protestave që bëjnë thirrje për sundim civil.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re