Unioni i Dhomave Profesionale të Sudanit i bëri thirrje popullit që të dalë në rrugë kundër përpjekjes për grusht shteti këtë mëngjes në vend.
Në një deklaratë, Unioni i Dhomave Profesionale të Sudanit ftoi popullin sudanez që të dalë në rrugë kundër “puçit ushtarak” të kryer kundër qeverisë civile. Ndërkohë, disa parti politike theksohet se kanë bërë thirrje për mosbindje civile.
Partia Umma e cila është një nga partitë politike më të mëdha të vendit, arrestimet e kryera i ka cilësuar si një “përpjekje për grusht shteti”.
Është raportuar se një grup ushtarësh në Sudan në orët e mëngjesit arrestuan kryeministrin Abdalla Hamdok dhe liderët e partive partnere të qeverisë së koalicionit që drejton vendin.
Media lokale ka informuar se në mesin e të arrestuarve ndodhen edhe ministri i Industrisë, Ibrahim al-Sheikh dhe ministri i Informacionit, Hamza Baloul.
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga dëshmitarë në ngjarje, u informua se pas arrestimit të liderëve të koalicionit në pushtet, në disa rajone në Khartoum kanë filluar protestat.
Unioni i Dhomave Profesionale të Sudanit, me kërkesën për mbrojtjen e “revolucionit popullor” të dhjetorit 2018 dhe kalimin në qeverinë civile, prej dy javësh zhvillonte protesta me mbështetësit e revolucionit dhe qeverisë aktuale civile në qendër të kryeqytetit Khartoum, në rajonet Bahri dhe Omdurman, si dhe në qytetet Kassala, Al-Qadarif, Nyala, Al-Junaynah, Sennar, Ad-Damazin, Wad Madani, Al-Ubayyid.
Më parë ky union ka udhëhequr protestat popullore masive të cilat i dhanë fund pushtetit 30-vjeçar të ish-presidentit Omar al-Bashir.
