Debati i Suedisë për anëtarësimin në NATO u zhvendos me një shpejtësi më të madhe të premten nga një takim i liderëve të Partisë Social Demokrate në pushtet, ku u diskutua aplikimi i mundshëm i këtij vendi neutral për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

Takimi gjashtë-orësh i partisë në Stokholm pritet të shënojë fillimin e një periudhe konsultimesh katërjavore përpara se socialdemokratët të marrin një vendim përfundimtar, që pritet në ose afër 24 majit, raporton Politico.

Janë planifikuar më shumë mbledhje fizike të lidershipit, si dhe diskutime në internet me anëtarët lokalë të partisë. “Është shumë e rëndësishme dhe pozitive që ne të mblidhemi për bisedime siç bëjmë sot,” u tha gazetarëve ministrja suedeze e Mjedisit Annika Strandhäll në rrugën e saj për në një takim në ndërtesën e parlamentit. “Në parti, ne po zhvillojmë gjithashtu një dialog për t’i lejuar anëtarët të jenë pjesë e debatit,” tha ajo.

Rezultati i bisedimeve të brendshme të socialdemokratëve ka të ngjarë të jetë vendimtar për të vendosur nëse Suedia do aplikon apo jo për anëtarësim në NATO. Aplikimi për anëtarësim do të ishte kthesa më e madhe e politikës së jashtme të vendit që nga anëtarësimi në BE në 1995.

Ndërsa tre parti opozitare suedeze të qendrës së djathtë disa vite më parë prireshin t’i bashkoheshin Aleancës së Mbrojtjes Perëndimore – dhe konceptit të saj qendror të mbrojtjes reciproke – socialdemokratët ishin skeptikë dhe bllokuan çdo lëvizje drejt pranimit.

Socialdemokratët kryesorë – nga ministri i Mbrojtjes Peter Hultqvist te kryeministrja Magdalena Andersson – deri më tani nuk kanë pranuar të komentojnë nëse kanë ndryshuar mendje në kontekstin e sulmit rus ndaj Ukrainës dhe tani do t’i bashkohen votave për t’iu bashkuar paktit ushtarak.

Por kohët e fundit ka pasur indikacione se kundërshtimi i partisë për një lëvizje të tillë po zbutet. “Natyrisht ka një kohë para dhe pas 24 shkurtit,” tha Andersson në fjalimin e saj të fundit, duke iu referuar datës së pushtimit rus të Ukrainës.

Një sondazh i opinionit publik i kryer nga agjencia e sondazheve Novus, i publikuar këtë javë, zbuloi se 51 për qind e publikut suedez mbështet aplikimin për anëtarësim në NATO.

Zhvillimet në Suedi pasqyrojnë një proces të ngjashëm që po zhvillohet në Finlandën fqinje, gjithashtu tradicionalisht neutrale, ku është njoftuar se kryeministrja socialdemokrate Sanna Marin do të shpallë zyrtarisht qëndrimin e partisë së saj për anëtarësimin në NATO në javët e ardhshme.

Deklaratat nga socialdemokratët kryesorë në parlamentin finlandez këtë javë sugjeruan se partia e kryeministres Marin mbështet kërkesën për t’u bashkuar dhe se vendi mund të ndërmarrë hapin përpara verës.

Helsinki zyrtar publikoi javën e kaluar një dokument politik që përshkruan pikat e forta dhe të dobëta të anëtarësimit në NATO, duke nxitur ligjvënësit e opozitës suedeze të përshpejtojnë procesin e vendimmarrjes së Suedisë.

Të enjten, qeveria suedeze njoftoi se një raport shumëpartiak mbi politikën e mbrojtjes – i cili përfshin një debat mbi anëtarësimin në NATO – do të publikohej më 13 maj në vend të 31 majit.

Takimet online të lidershipit socialdemokrat me anëtarët lokalë janë planifikuar për më 9, 10 dhe 12 maj, ndërsa një numër figurash të larta partiake, duke përfshirë ministren e Jashtme Ann Linde dhe paraardhësin e saj Margot Wallström, do të mbajnë fjalime në grupe partiake lokale.

“Ato u zgjodhën sepse janë figura qendrore që gëzojnë respekt dhe besueshmëri në partinë tonë dhe gjithashtu sepse e kuptojnë këtë çështje,” tha të premten sekretari i Partisë Social Demokrate, Tobias Baudin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re