Suedia ka kërkuar nga Izraeli të respektojë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar dhe të përmbahet nga shënjestrimi i zonave në Rripin e Gazës ku ka rrezik për viktima civile.

Duke folur për Anadolu, ministri suedez i Punëve të Jashtme, Tobias Billstrom tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër sulmeve të Hamasit, por kritikoi sulmet ushtarake izraelite që kanë shënjestruar spitalet dhe kampet e refugjatëve në javët e fundit.

“Sigurisht, Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por kjo mbrojtje duhet të bëhet brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar humanitar. Kjo do të thotë se nuk ju lejohet të shënjestroni civilët, nuk ju lejohet të shënjestroni instalimet civile dhe kjo duhet theksuar”, tha Billstrom. Ai po ashtu pohoi se Hamasi po përdor njerëzit si mburoja njerëzore në shumë zona.

Komentet e tij vijnë pasi një seri sulmesh ajrore izraelite shënjestruan kampin e refugjatëve Jabalia në Gazën veriore. Sulmet shkatërruan ndërtesa të tëra apartamentesh dhe vranë e plagosën qindra civilë palestinezë. Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër një komandant të lartë të Hamasit, i cili ndihmoi në planifikimin e sulmeve të 7 tetorit.

Shefi i diplomacisë suedeze tha se Izraeli dhe grupet palestineze duhet të ndërmarrin hapa për të de-përshkallëzuar krizën dhe për të krijuar kushtet për bisedime diplomatike. Ai tha se Hamasi duhet të lirojë pengjet izraelite sa më parë dhe të kontribuojë në një de-përshkallëzim.

“Ajo që na duhet tani është de-përshkallëzimi, kthimi në negociata, shmangia e viktimave civile dhe në fund të ditës vendosja e një zgjidhjeje me dy shtete ku Izraeli dhe Palestina, izraelitët dhe palestinezët, mund të jetojnë së bashku krah për krah, të sigurt, në dy shtete”, tha Billstrom.

Ai theksoi se Suedia do të rrisë përpjekjet e saj për të mundësuar dërgimin e ndihmave për civilët palestinezë në Rripin e Gazës. Dje, qeveria suedeze njoftoi një paketë të re të ndihmës humanitare për të adresuar nevojat urgjente, veçanërisht duke u fokusuar në nevojat e grave dhe fëmijëve.

Suedia do t’i ndajë rreth 13.5 milionë dollarë Programit të Ushqimit, Fondit të OKB-së për Fëmijët, Fondit të OKB-së për Popullsinë, Federatës së Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Dje, ekspertët e OKB-së paralajmëruan se “koha po mbaron për të parandaluar gjenocidin dhe katastrofën humanitare” në Gaza, pasi fushata ushtarake e Izraelit ka vrarë mbi 9 mijë palestinezë, përfshirë mbi 6 mijë gra dhe fëmijë.

Gjithashtu mbi 32 mijë njerëz janë plagosur në sulmet izraelite ndërsa rreth 1.4 milionë janë zhvendosur.

Sipas autoriteteve izraelite, më shumë se 1.500 izraelitë janë vrarë dhe mbi 5.400 të tjerë janë plagosur në sulmet e Hamasit, ndërsa mbi 240 persona janë marrë peng në Gaza.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re