Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, tha se ndjejnë shqetësim nga përleshjet që vazhdojnë edhe pse është arritur armëpushim në Malësinë e Karabakut, duke bërë thirrje për ndalimin e tyre dhe respektimin e marrëveshjes.

Linde i bëri këto vlerësime në një konferencë për media të përbashkët me homologun e saj turk Mevlüt Çavuşoğlu, pas takimit të zhvilluar në Ankara.

Ajo gjatë deklaratës theksoi lidhjet e fuqishme mes Turqisë dhe Suedisë.

Kryediplomatja suedeze tha se në takim kanë trajtuar mes tjerash me prioritet edhe gjendjen në Malësinë e Karabakut. “Konflikti vetëm në mënyra paqësore mund të zgjidhet. Duhet të kthehet në tryezën e negociatave”, u shpreh ajo.

“Edhe pse është arritur armëpushim, ndjejmë shqetësim nga përleshjet që vazhdojnë. U bëj thirrje(palëve) që të ndalojnë përleshjet dhe të respektojnë marrëveshjet”, ka theksuar Linde duke shtuar: “Nuk pranojmë shënjestrimin e civilëve në asnjë rrethanë”.

“Disa çështje mes BE dhe Turqisë duhet të zgjidhen me dialog”

Në takim, theksoi Linde, kanë folur edhe për presidencën e radhës në OSBE, ndërsa shtoi se gjatë presidencës së tyre do të fokusohen në mbrojtjen e sigurisë dhe rendit të Evropës.

Gjatë kësaj periudhe, sipas saj, do të ketë rëndësi kyçe edhe dialogu dhe bashkëpunimi mes Turqisë dhe Suedisë.

“Jemi të vetëdijshëm se Turqia po përballet me disa vështirësi në rajonin e saj. Nga ana tjetër theksova se BE nuk ka ndryshim në qëndrimin rreth verilindjes së Sirisë. Vazhdojmë të insistojmë që Turqia të tërhiqet prapa”, tha Linde.

Duke folur në lidhje me marrëdhëniet mes BE-së dhe Turqisë në aspektin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Linde tha se “disa çështje mes BE-së dhe Turqisë duhet të zgjidhen me dialog”.

Linde, mes tjerash, pohoi se vendi i saj kontribuon në përpjekjet globale rreth luftës kundër terrorizmit, duke shtuar se PKK-ja njihet si organizatë terroriste nga BE-ja dhe Suedia.

“Por me organizata të tjera si SDG nuk gjenden në listën e organizatave terroriste. Në të njëjtën kohë kjo organizatë ka kontribuar në luftën kundër DEASH-it. Ne duhet të vazhdojmë dialogun me ta për të kontribuar në stabilitetin dhe paqen në Siri”, tha Linde.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re