Mes dy të arrestuarve gjatë operacionit “Toka e Premtuar” që u ndërmor nga Policia e Shtetit pas provave të pakontestueshme në emisionin Top Story është edhe Suela Kacabani.

Duket si një emër pa lidhje dhe jo publik, por Suela është motra e Drejtoreshës së Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës Enkeleda Toska, e cila realizonte pa asnjë shqetësim trafikun e arabëve.

Sigurisht, Suela nuk vepronte e vetme, sepse të afërm të tjerë të shefes së Policisë Kufitare ishin përfshirë në këtë trafik. Në emisionin Top Story, trafikanti palestinez Salim Yousuf tregoi bashkëpunimin me Suela Kacabanin.

Me video në Top Story, Salim tregoi detaje të bashkëpunimit të tij me motrën e shefes së kufirit dhe sesi ajo e rriti pazarin nga 300 euro në 1000 euro për të siguruar leje qëndrimi për arabët që vinin në Shqipëri, me destinacion final një nga vendet e Evropës.

Në emisionin Top Story u shfaq një video kur një personi në kërkim të futjes në sistem për leje qëndrimi i kërkohen 1000 euro. “Ju më keni thënë 300 euro, pse 1000 tani” – ishte prova e shfaqur në Top Story, por përgjigja e trafikantit palestinez ishte shokuese, teksa përmend emrin e Suelës që rriti pazarin.

“Ka qenë më parë ai çmim, por tani nuk i llogarit fare, i duken asgjë. Tani të paktën merr 1000 euro. Sepse e ka motrën shefe të policisë. Suela është motër me shefen e policisë së emigracionit.  Ato i marrin bashkë lekët. Jo vetëm për Suelën” – deklaroi trafikanti palestinez në Top Story, edhe ky i arrestuar gjatë operacionit të sotëm.

Por, Suela Kacabani nuk është mjaftuar asnjëherë me çmime fikse. Ajo e rriti çmimin nga 300 euro, në 1000, më pas 1200, 1500 e deri në 2500 euro për të marrë një leje qëndrimi për arabët e mbërritur në Shqipëri nga rrjetet kriminale të trafikut.

Suela Kacabani, Salim Yousuf dhe të tjerë persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet kompanive konsulente, bënin të mundur ardhjen në Shqipëri në mënyrë të organizuar, të personave dhe grupeve të personave, kryesisht me origjinë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Afrikës veriore.

Shtetasit e këtyre vendeve, të cilët vinin në Shqipëri, nëpërmjet veprimeve të shtetasve të ndaluar, të cilët u krijonin lehtësira për hapjen e bizneseve të ndryshme në Shqipëri, kryesisht fiktivë dhe pa veprimtari financiare, arrinin të përfitonin leje qëndrimi në vendin tonë. Këta shtetas, pas qëndrimit të përkohshëm në vendin tonë, arrinin të kalonin drejt vendeve të BE-së.

Si provë për hetimet janë disa njësi kompjuterike, aparate celular, disa leje qëndrimi të shtetasve të ndryshëm, fatura bankare, mandate tërheqjeje shumash monetare nga agjencitë e transfertave të parave.

Në kuadër të këtij operacioni janë shpallur në kërkim nga Policia edhe 6 shtetas, të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por, për arsye hetimi, nuk i bëjmë me dije gjeneralitet e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re