Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar sot Kryegjyshatën e Bektashinjve, me rastin e festës së Sulltan Novruzit. Ka qenë vetë Baba Mondi që e priti në hyrje zotin Basha, ndërsa të dy u përshëndetën përzemërisht.

Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat i uroi Baba Mondit dhe besimtarëve bektashinj shëndet e jetë, duke uruar që kjo ditë të jetë një ogur i mirë për fitoren e shpresës mbi dëshpërimin.

Lulzim Basha: Baba Mondi, mire se të gjej! Gëzuar për shumë vjet Sulltan Nevruzin! Shëndet, jetë dhe dritë për ty dhe të gjithë klerikët bektashi, për të gjithë besimtarët bektashi kudo që janë. Qoftë kjo ditë një ogur i mbarë për fitoren e shpresës mbi dëshpërimin ashtu siç është simboli i fitores pranverës mbi dimrin dhe për largimin e të keqes nga shpirti i çdo shqiptari për triumfin e të mirës, e ndryshimit pozitiv për të gjithë.

Baba Mondi: Amin! Të lumtë goja. Faleminderit kryetar! Të paçim me jetë! Faleminderit për vizitën! Kjo është vërtetë një ditë e bekuar nga Zoti, kuptohet edhe nga shenjtorët që vijnë. Dhe është shembull për njerëzimin që ta udhëheqë njerëzimin në rrugën e vërtetë dhe prandaj ne i respektojmë këta njerëz, duke sakrifikuar me familje me gjithçka për të udhëhequr njerëzit në rrugën e vërtetë. Zoti ju bekoftë!
Lulzim Basha: Amin! Bashkë me ju.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re