Një person i armatosur ka vrarë të paktën katër persona në një kampus spitalor në Tulsa të shtetit të Oklahomës në SHBA.

Autori i dyshuar i sulmit, i cili ishte i armatosur me një pushkë dhe pistoletë u qëllua për vdekje nga policia vendase.

Policia e Tulsas tha se oficerët u përgjigjën menjëherë pasi erdhën thirrjet e urgjencës se një sulmues kishte hyrë në katin e dytë të spitalit.

Autoritetet e rendit thanë se nga momenti i raportimit të të shtënave deri në momentin e ekzekutimit të autorit të sulmit zgjati 4 minuta. Krahas viktimave, kanë mbetur të plagosur edhe disa persona të tjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Të shtënat në Oklahoma janë të fundit në një varg sulmesh vdekjeprurëse nga persona të armatosur që kanë tronditur Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar.

Më 14 maj, një person vrau 10 njerëz në një qendër tregtare në Buffalo të Nju Jorkut.
Ndërsa dhjetë ditë më vonë, një 18-vjeçar i armatosur me automatik sulmoi një shkollë fillore në qytetin Uvalde të Teksasit duke lënë të vdekur 19 fëmijë dhe 2 mësues.

Rregullimi i armëve përballet me rezistencë të thellë në Shtetet e Bashkuara, nga shumica e republikanëve dhe disa demokratëve.
Senatorët e të dy partive janë fokusuar në ligjet për të rritur moshën minimale për blerjen e armëve, si edhe të lejojnë policinë që t’iu konfiskojë armët personave që konsiderohen si kërcënim për veten ose të tjerët.

Republikanët thonë se ligji është i tepërt dhe shkel të drejtat e amerikanëve, përderisa kërkon që të analizojë atë që ata e quajnë biografi, për të lejuar qytetarët që të marrin armë.
Burimi: Ora News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re