Partia Demokratike ka dënuar dhunën ndaj gazetarit Gjergj Zefi, i cili u godit me sende të forta të martën në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë.
Zëdhënësja e PD-së, Mirela Karabina tha se gazetari është goditur pas shpine, pasi po dilte nga zyrat e punës, duke e konsideruar “sulm ndaj fjalës së lirë”.
“Për një vend që aderon për t’ju bashkuar institucionalisht Bashkimit Europian, goditja ndaj fjalës së lirë është e papranueshme dhe dëmton imazhin e Shqipërisë”, shprehet ajo.
Ndërsa theksoi se Partia Demokratike inkurajon e mbështet Policinë e Shtetit dhe Prokurinë për të vënë para drejtësisë sa më shpejt autorët e këtij akti të rëndë.
Reagimi i plotë:
Sulm ndaj fjalës së lirë!
Mbrëmë ka ndodhur një ngjarje e rëndë ku gazetari z.Gjegj Zefi është goditur pas shpine, pasi po dilte nga zyrat e punës.
Për një vend që aderon për t’ju bashkuar institucionalisht Bashkimit Europian, goditja ndaj fjalës së lirë është e papranueshme dhe dëmton imazhin e Shqipërisë.
Partia Demokratike dënon këtë sulm ndaj fjalës së lirë dhe nxit, inkurajon e mbështet Policinë e Shtetit dhe Prokurinë për të vënë para drejtësisë sa më shpejt autorët e këtij akti të rëndë.
Ngjarje të tilla janë një tjetër tregues i përkeqësimit të lirisë së mediave në Shqipëri, veçanërisht gjatë viteve të fundit.