Ministri i Mbrojtjes i Nigerit, Issoufou Katambe, ka bërë të ditur se të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën kur disa militantë të dyshuar sulmuan një xhami në një fshat në pjesën perëndimore të vendit.

“Sulmuesit, të hipur në motoçikleta, sulmuan një xhami gjatë kohës së namazit në prefekturën Banibangou në rajonin Tillaberi. Viktimat ishin duke u falur”, tha Katambe për mediat.

Që në fillim të këtij viti, sulmet nga militantët e dyshuar janë intensifikuar në zonën përreth qytetit Banibangou dhe në qytete të afërta në rajon.

Për sulmet që synojnë civilët dhe ushtrinë, fajësohet DEASH-i në Saharanë e Madhe dhe një grup i lidhur me Al-Kaedën.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i vitit janë regjistruar më shumë se 500 vdekje dhe mijëra janë zhvendosur duke ikur nga dhuna.

Ndërkohë, autoritetet lokale dje rivendosën ndalim për motoçikletat në disa pjesë të rajonit Tillaberi pas kërcënimeve të vazhdueshme të sigurisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re