Sulmet e vazhdueshme të grupit Houthi në Detin e Kuq kanë sjellë një shqetësim të madh në shumë shtete të botës, ku edhe është ndërprerë furnizimi me mallra të ndryshëm.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë, së bashku me atë të Italisë, SHBA-së, Britanisë, Kanadasë, polonisë dhe vendeve të tjera të rajonit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku shprehen se këto sulme janë një kërcënim për të gjitha vendet që mbështeten në transportin ndërkombëtar detar.

Në deklaratë, thuhet se grupi Houthi është në shkelje të rezolutës së Këshillit të Sigurisë së OKB-së dhe ligjeve ndërkombëtare.

“Në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të paligjshme dhe të pamatura nga grupi Houthi kundër anijeve që kalojnë tranzit në Detin e Kuq dhe rrugët ujore përreth, forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, kryen disa sulme të tjera kundër tetë objektivave në Zonat e kontrolluara nga grupi Houthi të Jemenit në përputhje me të drejtën e natyrshme të vetëmbrojtjes individuale dhe kolektive, në përputhje me Kartën e OKB-së. Këto sulme kishin si qëllim për të ndërprerë dhe ulur aftësinë e grupit Houthi për të vazhduar sulmet e tyre ndaj tregtisë globale dhe marinarëve të pafajshëm nga e gjithë bota, duke shmangur përshkallëzimin.

Mbi 30 sulmet, që grupi Houthi ka bërë ndaj anijeve tregtare dhe detare që nga mesi i nëntorit, përbëjnë një kërcënim për të gjitha vendet që mbështeten në transportin detar ndërkombëtar. Ne i dënojmë këto sulme dhe kërkojmë përfundimin e tyre. Ne gjithashtu theksojmë, se ata që furnizojnë grupin Houthi me armë për të kryer këto sulme, po shkelin Rezolutën 2216 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar. Përgjigja ndërkombëtare e 22 janarit ndaj sulmeve të vazhdueshme të grupit Houthi, tregoi vendosmëri të përbashkët për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e lundrimit dhe për të mbrojtur jetën e marinarëve nga sulmet e paligjshme dhe të pajustifikueshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Kjo deklaratë e përbashkët është nga Qeveritë e: Shqipërisë, Australisë, Bahreinit, Kanadasë, Kroacisë, Republikës Çeke, Danimarkës, Estonisë, Gjermanisë, Guinea-Bissau, Hungarisë, Italisë, Kenias, Letonisë, Lituanisë, Malit të Zi, Holandës, Zelandës së Re, Maqedonisë së Veriut, Polonisë , Republika e Koresë, Rumania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re