Skip to content

Sulmet kibernetike në sistemin TIMS/ Eksperti i IT: Ky është rreziku më i madh që mund të kanoset

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Që prej mbrëmjes së djeshme, sistemi TIMS në vendin tonë ka rënë për shkak të sulmit kibernetik. Kryeministri Edi Rama deklaroi se ky sulm është nga e njëjta dorë që sulmoi e-Albania në muajin korrik, pra nga Irani.

 

Said Duleviç eksperti i IT, i ftuar në studion e lajmeve të Vizion Plus përballë gazetares Pranvera Borakaj deklaroi se hakerat e kanë studiuar shumë mirë sistemin tonë dhe dinë tashmë çdo gjë.

 

Sipas tij, hakerat me të dhënat që disponojnë, janë gati të vazhdojnë edhe sulme të tjera në vijim.

 

“Këta hakera e kanë studiuar sistemin tonë dhe dinë çdo gjë. Ata janë gati  që me ato të dhëna që kanë marrë të vazhdojnë sulmin e tyre. Nuk dihet se çfarë data baze kanë në duar.

 

Qeveria apo të gjitha instancat duhet të vënë mure mbrojtëse”, tha ai.

 

Më tej, eksperti i IT shtoi se sistemi TIMS do të rikthehet së shpejti dhe se nga të dhënat mund të dëmtohet vetëm diçka e vogël.

 

Said Duleviç thekson se rreziku më i madh nga ky sulm është dalja e të dhënave konfidenciale të personave me precedent penal që kanë kaluar kufirin.

 

“Ato do rikthehen sepse kanë sistem back up. Mund të humbasë diçka e vogël, por jo ndonjë gjë e madhe. Rreziku më i madh është dalja e të dhënave konfidenciale, të dhëna të qytetarëve që kalojnë pikat kufitare dhe janë me precedent penal. Nëse dalin online janë një rrezik për të gjithë njerëzit”, tha ai.

 

Eksperti i IT në fund kishte edhe një këshillë për institucionet. Ai sugjeroi që duhet të ndërrohen pasëordet, në mënyrë që të shmangen sulme të tjera.

 

“Duhet të ndërrohen të gjitha pasëordet e të gjitha punonjësve, sepse mund të merret sërish akses në një kohë të mëvonshme”, tha ai.

 

Por Shqipëria nuk është vendi i vetëm që ka rënë pre e sulmit kibernetin. Edhe NASA apo Estonia kanë patur të njëjtin fat.

 

“Ka qenë vetë NASA para disa vitesh dhe Estonia në 2007. Mekanizmat mbrojtës e solli sistemin e mbrojtur në një kohë të shkurtër”, tha eksperti i IT Said Dulevic për Vizion Plus.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë