Të paktën tetë persona u vranë në kryeqytetin e Ukrainës në orët e hershme në sulmet ruse që nisën në disa qytete, sipas autoriteteve ukrainase.
Nga bombardimet në lagjen urbane Shevchenkivskyi në Kiev u plagosën të paktën 24 persona, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.
Më herët, presidenti Volodymyr Zelenskyy njoftoi se ka të vdekur dhe të plagosur nga sulmet me raketa, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore.
Shpërthime të shumta u raportuan në qytetet ukrainase Zhytomyr, Khmelnytsky, Dnipro, Lviv, Ternopil dhe Kiev, një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin akuzoi inteligjencën ukrainase për kryerjen e asaj që ai e quajti “sulm terrorist” në urën e Kerçit.
“Taktika e vetme e Putinit është terrori mbi qytetet paqësore të Ukrainës, por ai nuk do ta thyejë Ukrainën”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.
Mediat lokale raportuan se shërbimet e trenave të linjës së kuqe të metrosë janë ndërprerë në Kiev dhe se të gjitha stacionet e metrosë tani shërbejnë si strehimore.
Kyiv mbetet nën kërcënim, shkroi në Telegram kryebashkiaku Vitali Klitschko, duke shtuar se rrugët kryesore në kryeqytet tani janë bllokuar nga forcat e sigurisë, ndërsa përpjekjet e shpëtimit janë duke vijuar.
Më vonë, Ministria e Brendshme e Ukrainës bëri të ditur se një raketë ruse kishte goditur rrugën ku ndodhen agjencitë e sigurisë dhe zyra e presidentit Volodymyr Zelenskyy.
Putin sot do të kryesojë takimin e këshillit të sigurisë.
Burimi: AA