Në Iran është sot ditë zie pas asaj çfarë ndodhi në qytetin Ahvaz, ku si pasojë e një sulmi në një paradë ushtarake, 25 vetë u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën.

Ndër viktima ishte një grua dhe një fëmijë, një gazetar dhe të tjerë anëtarë të Gardës Revolucionare Iraniane.

Televizioni shtetëror njoftoi se objektivi i sulmit ishte një vendqëndrim ku zyrtarët iranianë u mblodhën për të ndjekur ceremoninë vjetore të përkujtimit të luftës Iran-Irak, e cila zgjati nga viti 1980 deri në 1988-ën.

Lëvizja iraniane e opozitës arabe, e quajtur Rezistenca Kombëtare e Ahvaz, mori përgjegjësinë për sulmin, ndërsa një numër zyrtarësh iranianë akuzuan Shtetet e Bashkuara dhe vende të Gjirit se qëndrojnë pas këtyre sulmeve.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, hodhi poshtë çdo akuzë ardhur nga Teherani zyrtar.

Një zyrtar i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe gjithashtu mohoi pretendimet e Iranit për përfshirje në sulmin.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare iraniane u përbetua të merrte hak për sulmin ndaj anëtarëve të saj.

Sulmi ndaj të shtunës, deri më sot më i madhi ndaj këtyre njësive të elitës, është një goditje e madhe për sigurinë e Iranit në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të Gjirit po përpiqen të izolojnë Teheranin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re