Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me tensionet dhe sulmi ndaj kryeministrit Albin Kurtit, ku në ‘Facebook’ shkruan se dhuna është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve.
Osmani thekson se dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë. Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik. Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, ka shkruar Osmani.