Shefi i stafit në Kabinetin e Presidencës, Blerim Vela, ka deklaruar se regjimi serb ka kaluar nga veprimet e fshehta të struktruave ilegale, në kërcënime të hapura për kryerjen e agresionit ndaj Kosovës.

 

“Regjimi në Serbi po kalon nga veprimet e fshehta të dhunshme të strukturave të veta ilegale në Kosovë, në kërcënim të hapur për përdorim të forcave policore e ushtarake për të kryer agresion ndaj Kosovës. Sipas parimeve të Rusisë, ky është kërcënim flagrant për ta rrezikuar paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë”, ka shkruar ai në Twitter.

 

Në një tjetër reagim të mëvonshëm, Vela shkruan se regjimi aktual i Serbisë, drejtuar nga Vuçiç mendon dhe vepron njësoj si Millosheviç.

 

“Regjimi aktual në Serbi mendon dhe vepron si regjimi i Miloseviç- it që kërkon të imponojë dominimin e SRB-së mbi ish-YU.

 

Vuçiq mund të mendojë se po qeveris një shtet të fuqishëm, kur në fakt po kryeson një shtet xhuxh që humbi 700 mijë qytetarë në 10 vjet. Është koha për një kontroll të realitetit!”, shkruan ai.

 

Vela reagoi pasi Serbia ka kërcënuar me kthim të ushtrisë në territor të Kosovës. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia po shqyrton mundësinë që t’i çojë 1000 forca të sigurisë në territor të Kosovës, pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi praninë në veri të vendit.

 

Ndërkohë që sot një polic u plagos lehtë pas sulmeve në veri të Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re