Një grup musliman amerikan për të drejtat civile ka bërë thirrje për hetim të plotë nga policia lokale për një krim të urrejtjes të kryer kundër një udhëheqësi fetar musliman në Anaheim të Kalifornisë, në zonën metropolitane të qytetit Los Angeles.

Në një njoftim, Zyra e Këshillit për Marrëdhënie Amerikano-Islame (CAIR) në Los Angeles tha se imam Khaled Hemaya përderisa kthehej në shtëpi në Anaheim u sulmua nga një mashkull i panjohur.

Raportohet se pasi Hemaya hyri në portën e vendbanimit në Anaheim, një burrë i bardhë bllokoi automjetin e tij dhe e pyeti nëse ai jetonte në atë vendbanim.

“Ai më shikonte mua me rrobat e mia fetare, më ndaloi dhe më tha ‘ju nuk jeni banorë këtu, nuk lejohet të hyni’ “, tha Hemaya.

Njeriu pretendohet se i tha imamit Hemaya “kthehu në vendin tënd”, si dhe e quajti atë “arab të ndyrë” dhe “terrorist”. Më vonë, raportohet se filloi ta shaj imamin, t’i shkelmojë gomat e automjetit të tij dhe më pas ka hapur derën e automjetit dhe e ka goditur me grushte.

Raporti tha se një roje e sigurisë mbërriti dhe thirri policinë lokale. Megjithatë, oficeri i policisë nuk pranoi ta arrestojë sulmuesin dhe sugjeroi imamin të paraqesë rastin në polici për të ngritur akuza penale.

Drejtori ekzekutiv i këshillit CAIR, Hussam Ayloush, dënoi incidentin dhe e quajti “shembull se si kjo urrejtje flirton në jetën e përditshme të njerëzve”.

“Përderisa urrejtja anti-muslimane gjatë viteve të fundit është rritur në mënyrë eksponenciale, ne kemi paralajmëruar kundër rrezikut se si normalizimi i gjuhës së urrejtjes çon në kërcënime dhe sulme të urrejtjes”, tha Ayloush.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re