Vijon operacioni policor “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga to.

Policia e Beratit ka sekuestruar rreth 57 mijë euro që dyshohet se vinin nga veprimtari kriminale. Paratë u sekuestruan gjatë kontrollit të banesës së një 31-vjeçari, tanimë i prangosur.

Po ashtu janë sekuestruar 5 monedha ari, 1 armë gjahu si dhe një pajisje metalkërkuese.

“Për to u vu në pranga shtetasi D. V., 31 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e tij, shtetasin B. V., 56 vjeç, të dy banues në fshatin Kutalli”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re