Bashkitë nuk do të kenë të drejtën për të dhënë leje për të ndërtuar në bregdet. Qeveria ka hartuar një projektligji që ia heq kompetencën për dhënien e lejeve të ndërtimit në zonat bregdetare, si dhe administrimin e plazheve.

Drafti “Për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare”, ia jep këtë si një kompetencë ekskluzive Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Në projektligjin e siguruar nga Gazeta “Shqip” përcaktohet se do të jetë pikërisht kjo Agjenci që ka si kompetencë për kontrollin e territorit në bregdet, duke ia zhveshur kompetencën bashkive si Shkodra, Lezha, Durrësi, Kavaja, Vlora, Himara dhe Saranda . Por jo vetëm kaq Agjencia gjithashtu do të ketë të drejtën e dhënies me qira sw zonave bregdetare dhe për ushtrimin e aktiviteteve të ndryshme.

“Agjencia jep paraprakisht mendimin e saj për lejet zhvillimore dhe lejet e përdorimit në zonën bregdetare, me përjashtim të bregut të detit, nëpërmjet verifikimit të kritereve të menaxhimit të zonës bregdetare, përpara miratimit përfundimtar nga ana e organit kompetent për lëshimin e tyre, përcaktuar sipas legjislacionit për planifikimin e territorit”, thuhet në draftin e sigurua nga Gazeta “Shqip”.

Gjithashtu përcaktohet se “Agjencia jep me qira sipërfaqe të caktuara të bregut të detit për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme përfshirë aktivitetet/veprimtaritë sportive argëtuese dhe turistike në det. Kriteret, procedurat dhe masa e dhënies me qira përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave; miraton kryerjen e aktiviteteve në bregun e detit dhe aktivitetet/veprimtaritë sportive argëtuese dhe turistike në det si dhe kryen planifikimin e aktiviteteve/veprimtarive në bregun e detit si dhe përcakton kushtet dhe kriteret për ushtrimit e tyre”.

Në pikat 14 dhe 15 të nenit 13 të këtij p/ligji përcaktohet se Agjencia administron pasuritë e paluajtshme shtetërore dhe publike, të cilat i kalohen në përgjegjësi administrimi, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi. Ky institucion ka për detyrë të krijojë regjistrin elektronik për pasuritë e paluajtshme të zonës bregdetare, formati i të cilit miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.

Qeveria gjithashtu nuk është tërhequr nga dhënia me Partneritet Publik Privat të këtyre zonave bregdetare, duke lënë në fuqi projektet apo që do të parashikohen në të ardhmen.

“Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit në bregun e detit, me përjashtim të kontratave koncensionare/PPP, investimeve strategjike dhe ndërtimeve për infrastrukturë publike. Për ndërtimet ekzistuese në bregun e detit, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Agjencia kërkon nga institucionet përgjegjëse verifikimin e dokumentacionit përkatës”, thuhet në nenin 23 të projektit .

Ndërsa sa i përket shitjes së pronave në bregdet, është përcaktuar se “agjencia verifikon në bashkëpunim me institucionet përkatëse, kontratat në fuqi të dhëna në bregun e detit. Kontratat të cilat pas verifikimit rezultojnë të rregullta mbeten në fuqi deri në përfundimin e afatit”.

Dhënia lejeve së shfrytëzimit të plazheve është një tjetër kompetencë që hiqet bashkive duke ia dhënë kësaj Agjencie.

“Komiteti i Menaxhimit të Bregut të Detit ka këto kompetenca: Miraton planin e menaxhimit të bregut të detit, të hartuar dhe propozuar nga AKB-ja. Jep mendim për kërkesat drejtuar AKB, lidhur me planifikimin dhe zhvillimin e territorit në zonën bregdetare; Jep pëlqimin për veprimtaritë e lidhura me zonën bregdetare dhe për tarifat për ushtrimin  e këtyre veprimtarive, të hartuara nga AKB; Miraton hartën e stacioneve të plazheve si dhe plazheve publike, të cilat pajisen me një numër të veçantë identifikues”, thuhet në 9 të këtij drafti.

Projektligji është në fazën e konsultimeve dhe pritet të miratohet së shpejti, por nisma pritet të shkaktojë jo pak debate, edhe pse kryebashkiakët janë të zgjedhurit socialistë.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re