Skip to content

‘Supergripi’ po vë në provë spitalet britanike: Mjekëve u kërkohet të shtyjnë grevën

614fc924 ap22014775022760

Ministri britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, u ka bërë thirrje mjekëve që të shtyjnë grevën e tyre pesëditore në janar për shkak të valës së “supergripit” që i ka rënduar spitalet e vendit.

Shoqata Mjekësore Britanike (BMA), e cila përfaqëson mjekët specialistë, të cilët përbëjnë gati gjysmën e të gjithë punonjësve të spitaleve, tha se greva do të fillojë të mërkurën, me kërkesa për pagat dhe kushtet e punës. “Dhjetëra mijëra mjekë të vijës së parë janë bashkuar për t’i thënë ‘Jo’ asaj që është propozuar, e cila është qartësisht shumë pak, shumë vonë”, tha presidenti i BMA-së, Jack Fletcher, duke shtuar se anëtarët e kanë refuzuar propozimin e fundit të qeverisë për kushtet e punës. Ai tha se sindikata është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë për të gjetur një zgjidhje.

Greva do të rrisë presionin mbi shërbimet e kujdesit shëndetësor tashmë të rënduara, pasi Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS) paralajmëroi javën e kaluar se spitalet po përballeshin me një “skenar të rastit më të keq” për shkak të “supergripit”.

Streeting u bëri thirrje mjekëve të kthehen në punë. “Nuk ka asnjë arsye pse këto greva duhet të zhvillohen këtë javë. Ato ekspozojnë shpërfilljen tronditëse të BMA-së për sigurinë e pacientëve”, tha ai, duke i quajtur grevat “egoiste, të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”.

  • Ministri i tha Sky News se qeveria do të donte të riplanifikonte grevat për të minimizuar rrezikun për pacientët nga vala e gripit.

Pranimet në spital për grip në Angli u rritën me më shumë se 50% në fillim të dhjetorit, duke arritur mesatarisht 2,660 pacientë në ditë. Ekspertët thonë se kulmi ende nuk ka ardhur.

Evropa në tërësi po përballet me një valë gripi jashtëzakonisht të hershme dhe të rëndë, dhe autoritetet shëndetësore po paralajmërojnë se rastet po rriten në të gjithë kontinentin.

BMA tha se 83% e mjekëve të përgjithshëm e hodhën poshtë ofertën e qeverisë në një anketë online, në të cilën morën pjesë 65% e 50,000 anëtarëve të saj. Propozimi nuk i plotësoi kërkesat e reja të pagave të mjekëve të përgjithshëm, megjithëse BMA kishte bërë thirrje për rritje para se Partia Laburiste të vinte në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024. Menjëherë pas marrjes së detyrës, Streeting arriti një marrëveshje me mjekët e përgjithshëm, duke u ofruar atyre një rritje page prej 22%, shtatë pikë përqindjeje më pak se 29% e kërkuar nga BMA. Sindikata po kërkon një rritje më të lartë se 5.4% e shpallur këtë vit, duke argumentuar se mjekët e përgjithshëm ende po vuajnë nga një rënie e fuqisë së tyre blerëse.

Përshtati në Shqip S