Së fundmi në mediet e huaja ka qarkulluar një foto, konkretisht kopertinë e një reviste për filma të animuar që ka ngjallur debate të forta mes konservatorëve dhe grupet e komunitetit LGBTQI.

Në versionin më të fundit të Superman, Jon Kent, djali i superheroit legjendar Clark Kent, paraqitet si biseksual. Pastor, Akil Pano shprehet  i shqetësuar për trendin që paraqet heronjtë e animuar me prirje të cuditshme seksuale.

“I kemi futur fëmijët në një botë kaotike spirtuale”, tha Akil Pano në studion e emisionit të mëngjesit “Ditë e Re”.

Pastori  tha se po lëkundet bazat e fëmijëve dhe se po përmbysen modelet e shoqërisë, me të cilat ishim edukuar deri më tani.

“Është një pushtet i jashtëzakonshëm që media e ka në dorë. Duan të depërtojnë me një çelës të padukshëm në botën intime të një njomëzaku për të ndërtuar modele te reja dashurie, mbi perceptimin  e jetës. Mashkulli ta vë në dyshim identitetin e tij seksual,  prit se ndoshta nuk je mashkull,” tha Pano.

Me ton ironizues ai tha se me këto ndryshime që po bëhën madje dhe roli i zanës në përralla ka për të ndryshuar.

“Nga gjyshja që kishte  atë modelin e zanës, tani do të jenë burra me një fustan që do të luajnë rolin e zanës. Tani nuk e di sa çfarë do të ndodhë me Borëbardhën dhe xhuxhat e saj”, u shpreh pastor Pano.

Akil Pan shprehet dyshues ndaj trendit të  fundit për personazhet e filmave të animuar. Ai thotë se prindërit duhet të kenë shumë kujdes se si edukojnë dhe se çfarë u ekspozojnë fëmijëve.

“Bota e dëshirave është ajo që na furnizon. Deri në 5 vjeç është furnizuar 85% e identitetit të fëmijës. Është problem sepse mbi perceptimin e gabuar të ashtuquajtur barazi gjinore mamaja sot nuk ka më kohë të merret me fëmijën. Kush do ta edukojë fëmijën,  do ta edukojë shkolla, I-pad apo telefoni?  Pra prindër kujdes me fëmijët”, tha Pano.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re