Skip to content

Suvaja e rënë dhe bankat e dëmtuara, shqetësuese gjendja në shkollën 9-vjeçare në Yzberisht. Një prind denoncon kushtet problematike

shkolla 77

Gjendja në shkollën 9-vjeçare në Yzberisht ngre shqetësime për kushtet në të cilat zhvillojnë mësimin nxënësit. Një prind ka denoncuar pranë redaksisë gjendjen e amortizuar të ambienteve të shkollës, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë dhe infrastrukturën e institucionit arsimor.

Siç shihet edhe nga pamjet e dërguara, suvaja e tavanit është dëmtuar dhe në disa pjesë ka rënë, ndërsa bankat ku ulen nxënësit paraqiten të shkatërruara dhe në gjendje të papërshtatshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.

Një tjetër shqetësim serioz lidhet me rrjetin elektrik të shkollës, i cili, sipas denoncimit të qytetarit, është i vjetër dhe i amortizuar. Sipas tij, kutitë e shpërndarjes elektrike brenda ambienteve të shkollës kanë marrë flakë në disa raste, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e nxënësve dhe stafit pedagogjik.

Situata e raportuar kërkon vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, për të verifikuar gjendjen e godinës, për të vlerësuar rreziqet e mundshme dhe për të marrë masat e nevojshme për riparimin e ambienteve.

Siguria e nxënësve dhe garantimi i kushteve të përshtatshme për zhvillimin e mësimit mbeten çështje që kërkojnë zgjidhje konkrete nga autoritetet përkatëse.