Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se më 17 qershor, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë – që lidh Kosovën me Serbinë –është arrestuar edhe një person që ka sulmuar gazetarët në veri të Kosovës.

 

Sveçla tha se bëhet fjalë për Dalibor Spasiq.

 

“Në vendin tonë demokratik, aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

 

Më 16 qershor është arrestuar Nemanja Vllashkoviq në Leposaviq, për sulmin ndaj gazetarëve të mediumit Kallxo më 29 maj.

 

Po më 16 qershor, gazetarë të mediumeve të ndryshme, sipas Policisë së Kosovës, “janë sulmuar fizikisht, në mënyrë brutale”, teksa po raportonin nga komuna e Leposaviqit, një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka thënë se nga 26 maji deri më 16 qershor, në komunat në veri të Kosovës janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

 

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re