Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

Më 24 shtator, grupe të armatosura në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Në intervistën dhënë REL-it, ministri Sveçla thotë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Sveçla flet edhe për përfshirjen e dyshuar ruse, si dhe për rreziqet e sigurisë që vazhdojnë t’i kanosen Kosovës.

“Vuçiq, Qeveria serbe të përfshirë”

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, Millan Radoiçiq ka pranuar sot [29 shtator] se ka organizuar sulmin në Banjskë. Si e komentoni këtë veprim të tijin dhe a mendoni se ka vepruar i vetëm në përgatitjen e sulmit, ashtu siç ka thënë?

Xhelal Sveçla: Absolutisht nuk është e vërtetë. Millan Radoiçiq e ka pranuar një fakt, pasi është dëshmuar pjesëmarrja e tij në këtë sulm terrorist. Por, të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiq nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga [presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka.

Ne e dimë shumë mirë se ai ka qenë jashtëzakonisht i afërt me Aleksandar Vuçiqin, i cili ka qenë ministër i propagandës në kohën e qeverisjes së Millosheviqit. Ai, edhe pse është president i Serbisë, vazhdon të jetë ministër i propagandës.

Tendenca e tyre tash është që ta minimizojnë presionin ndaj Serbisë, duke dashur që ta lokalizojnë fajtorin. Fajtori dihet, ai është Aleksandar Vuçiq dhe idetë e tij ekstremiste në raport me gjithë rajonin, jo vetëm me Kosovën.

Sasia dhe llojet e armatimeve që janë zënë më 24 shtator në Banjskë është e pamundur të mblidhen nga një individ, edhe nëse ai është jashtëzakonisht i fuqishëm, siç është Millan Radoiçiq. Ka armatim ushtarak, ka armatim të vitit të prodhimit më 2021, 2022 – gjë që tregon se nuk janë mbetje të luftës së viteve 1998/99, apo edhe më herët në Ballkan, por janë armatime të dala drejtpërdrejt nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Këtë e kemi dëshmuar, duke prezantuar dokumente, të cilat i kemi zënë, ku bëhet pranim-dorëzimi i këtij armatimi.

Po ashtu, nuk është rast i izoluar, meqenëse armatime të ngjashme, me seri prodhimi të përafërta, ne kemi zënë edhe më herët në Zveçan, më 23 qershor, pastaj edhe më 7 gusht dhe më 5 shtator – qoftë në Zveçan, qoftë në Mitrovicë të Veriut. Do të thotë, ka qenë një plan i mirorganizuar, detajisht i përpunuar, i cili iu ka dështuar falë vendosmërisë, gatishmërisë për sakrificë dhe profesionalizmit të policisë së Kosovës. Por, plani ka qenë shumë më i madh. Vuçiqi është i përfshirë. Është edhe Qeveria e Serbisë e përfshirë. Siç duket, edhe vetë Rusia është e përfshirë në këtë skenar.

Radio Evropa e Lirë: Cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Kosovës pas daljes së Radoiçiqit sot?

Xhelal Sveçla: Ne do të vazhdojmë ta hetojmë këtë sulm në detaje, t’i identifikojmë të gjithë terroristët që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ta hetojmë gjithë hierarkinë e dy organizatave që ne tashmë i kemi shpallur terroriste – Severna Brigada dhe Civilna Zashtita [Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile] – por edhe t’i dokumentojmë lidhjet e drejtpërdrejta me Qeverinë e Serbisë.

Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë nga Serbia – patjetër përmes partnerëve tanë – që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë.Po ashtu, do të kërkojmë që të gjitha inkursionet apo agresionet e Serbisë të ndalen njëherë e përgjithmonë, përfshirë edhe tërheqjen e ushtrisë nga afërsia e kufirit tonë.

Mendojmë se ka rreziqe. Ne jemi vigjilentë. Po përgatitemi që të përballemi dhe t’i përgjigjemi suksesshëm çfarëdolloj sfide, duke qenë se kemi përvoja tashmë jashtëzakonisht të këqija, qoftë me Serbinë, qoftë me presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë: A do të kërkoni ekstradimin e Radoiçiqit dhe përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar në këtë mes, marrë parasysh që Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje ekstradimi?

Xhelal Sveçla: Po, patjetër. Të Radoiçiqit dhe jo vetëm, të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e këtij aksioni terrorist.

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në informacionet që mund t’i ndani me ne – sa njerëz janë të përfshirë në hetimet që po bëni?

Numri i sulmuesve, “mbi 80”

Xhelal Sveçla: Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme – për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë – dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80.

Radio Evropa e Lirë: A keni pasur ndonjë kontakt me Policinë e Serbisë ose me Agjencinë e Informacionit dhe Sigurisë atje, pas sulmit në Banjskë?

Xhelal Sveçla: Jo, nuk kemi pasur ndonjë kontakt. Ne mendojmë që ata janë të përfshirë drejtpërdrejt. Njëri ndër të vrarët është ish-truprojë e Aleksandar Vulinit, i cili është kreu i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi, i cili, në të njëjtën kohë, është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe. Do të thotë, jemi në një situatë paradoksale, kur ti realisht ke të bësh me figura, të cilat jo vetëm se janë kriminelë, por janë edhe të sanksionuar nga bota demokratike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re