Teksa parashikimet për sezonin turistik 2022 janë që pushimet këtë vit do të na kushtojnë më shtrenjtë, qeveria thotë se me ndërhyrjet e saj, çmimet do të mbahen nën kontroll.

 

Si masë që do të ndihmojë në këtë drejtim, ministrja Mirela Kumbaro veçoi subvencionimin e çmimit të energjisë për biznesin e vogël.

 

Megjithatë, në një intervistë për “KosovaPress”, ajo pranoi se në disa zona ka abuzime dhe për ta shmangur këtë, ftoi pushuesit të mos krijojnë përqendrime.

 

MIRELA KUMBAROMINISTRE E MJEDISIT DHE TURIZMIT

“Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që çmimet të ruhen në nivele të arsyeshme, por duke pasur parasysh që jemi në një vit që ka një rritje të çmimit të energjisë dhe karburantit në nivel global. Ajo që ne kemi bërë është që për të gjithë familjarët dhe biznesin e vogël, ku futen restorantet e hotelet nuk ndryshon çmimi i energjisë. Ato do të subvencionohen nga shteti, ndonëse çmimi në nivel global është rritur për dhjetë herë. Ftoj që turistët të shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe të krijohen sa më pak përqendrime, sepse ajo bën që kërkesë-oferta të shkojë drejt rritjes së çmimeve.”

 

Këtë sezon turistik, Shqipëria synon të tejkalojë shifrën e 6.4 milionë pushuesve.

 

MIRELA KUMBAROMINISTRE E MJEDISIT DHE TURIZMIT

“Në vitin 2019, që konsiderohet një vit shumë i mirë dhe kemi pasur një shifër rekord të mysafirëve nga e gjithë bota, Shqipëria priti 6,4 milionë vizitorë të huaj. Po të kemi parasysh që Shqipëria, rezident janë 2,8 milionë banorë. Në vitin 2021, ne mirëpritëm më shumë se sa mendonim, 5,6 milionë turistë të huaj, duke përfshirë mysafirët prej Kosovës duke u nisur nga sistemi i hyrjes në kufi të Shqipërisë. Të gjitha të dhënat janë që këtë vit të kemi një rritje eksponenciale, për shkak se tre muajt e parë të vitit 2022, ishin me rritje krahasuar me vitin pararendës. Vetëm në muajin mars kemi pasur 2,1 herë më shumë net qëndrimi në Shqipëri, se sa vitin e kaluar.”

 

Thirrja që bëhet për turistët që do të vizitojnë Shqipërinë këtë vit është që të jenë të pajisur me çanta tekstili dhe të heqin dorë nga përdorimi i plastikës.