Skip to content

Synonte të rrëzonte Lukashenkon, por ryshfeti çon në burg kryeopozitarin bjellorus

Kreu i opozitës bjelloruse Viktor Babariko, i cili synonte të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të gushtit 2020 kundër Alexander Lukashenko por u arrestua disa javë më parë, u dënua me 14 vjet burg të martën për korrupsion.

“Viktor Babariko u dënua me 14 vjet burg dhe do të vuajë dënimin e tij në një koloni penale me siguri të shtuar,” thanë mbështetësit e opozitës në Twitter.

Babariko u dënua për pranimin e ryshfetit dhe pastrimin e parave, njoftoi organizata joqeveritare bjelloruse Vjasna, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë.

Ndërsa vendimi u dha nga Gjykata e Lartë, Babarik u ndalua të apelonte.

Babariko, 57 vjeç, është një ish-bankier dhe mendohej se ishte kandidati më serioz kundër Lukashenkos në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit 2020.

Ai gjithashtu u gjobit me gati 45,000 euro dhe u ndalua të mbante pozicione të larta.

Prokuroria pretendon se Babariko kreu veprime kriminale ndërsa ishte kreu i Belgazprombank, dega bjelloruse e bankës që i përket gjigandit rus Gazprom.

Shtatë ish-punonjës të tjerë të asaj banke, të cilët u deklaruan fajtorë dhe dëshmuan kundër Babarik, u dënuan me tre deri në gjashtë vjet burg.

Bjellorusia është goditur nga një krizë politike që nga zgjedhjet presidenciale, për të cilën kundërshtarët e Lukashenkos pretendojnë se ishin vjedhur.