Skip to content

Sytë nga burgjet! Shpëtoni 313-tën! Shpëtoni popullatën!

Ndërkohë që burgjet janë lënë në harresë, Covid-19 u përhap me shpejtësinë e erës brenda 24-orëve pas raportimit të rastit të një të burgosuri Italian të infektuar. Ky nuk ishte rasti i parë, sepse në fakt, i infektuari i parë shënohet më 14 prill dhe ishte punonjës në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja” në Tiranë, i cili nuk është trumbetuar si rast shqetësues.

E kundërta duhej të ndodhte. Ndërkohë, asnjë masë nuk është marrë për të burgosurit e tjerë që rrezikojne infektimin, por edhe të bëhen përhapës të sëmundjes. Jo vetëm kaq por në deklaratën e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve thuhej se: “Punonjësi nuk ka pasur asnjë funksion të lidhur drejtpërdrejt me regjimin e brendshëm të burgjeve, c’ka konfirmon se nuk ka asnjë rrezik për të burgosurit.”

Ku jemi sot?

Burgu 313 në kryeqytet shënon 14 të infektuar, 13 brenda 24 orëve. E përkthyer në përqindje në raport me testimet, rezulton 28%. Pra, në 50 testime, rezultojne 14 të infektuar, që do të thotë se është një raport tejet i lartë. Imagjinoni këtë raport të përkthyer në popullatë. Do të ishte katastrofik.

313-ta po “plas”!

Si mund të shmangim një katastrofë të mundshme me ritme të shpejta të përhapjes në popullatë:

Së pari, të testohen të gjithë të burgosurit dhe punonjësit e burgut “313” në kryeqytet, por jo vetëm, të testohen të burgosurit dhe punonjësit e të gjithë burgjeve. Të mos harrojmë që kur punonjësit mbarojnë punën, kthehen tek familjarët e tyre dhe mund të bëhen burim infektimi, për pjesën tjetër të qytetarëve.

Së dyti, të behet urgjent karaktinimi I të infektuarve, në nje ambient të posacem, jo në ambientet e burgimit, sigurisht nën mbikëqyrjen e personave të tjere, me kushte sigurie, nën kujdes shëndetësor, deri sa të kapërcejne virusin.

Së treti, të bëhet desinfektim total I ambienteve të burgjeve! Ky desinfektim, të përfshijë cdo hapësire dhe cdo send që te burgosurit dhe punonjësit prekin. Të futen në masë, desinfektante, maska, doreza, për gardianet, punonjesit, te burgosurit.

Së katërti, të vazhdojnë vuajtjen e dënimit në kushte shtëpie,  një pjesë e të burgosurve që kanë kryer vepra penale të lehta. Shumë prej të burgosurve e kanë kërkuar këtë masë, së bashku me familjarët e tyre. Megjithese u paraqit se 585 të denuar I plotësojnë kriteret, në fakt ende nuk është vënë në jetë një masë e tillë. Përkundrazi, shumë prej kërkesave të bëra, janë refuzuar!

Të burgosurit, janë qytetarë që vuajnë dënimin, nuk janë minj që të lihen në atë gjendje, si edhe të bëhen përhapës të koronavirusit jo për shkak të dëshirës së tyre, po për shkak të neglizhences së institucioneve.

313-ta po “vlon” dhe askush nuk po e vret mendjen! Nesë nuk marrim masa, do vlojmë të gjithë bashkë me të!/ shqip